Afati i fundit 20 janari, Brahimaj: Bizneset të reflektojnë për pagat e punonjësve, në mars nisim kontrollet

Qeveria shqiptare u ka lënë afat 20 janarin bizneseve për vetëdelarimin real të pagave të punonjësve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj në një konferencë për shtyp mbi ecurinë e ekonomisë, sfidat dhe pritshmëritë për 2022 u tërhoqi dhe njëherë vëmendjen bizneseve që të bëjnë korrigjimet përkatëse aty ku ka nëndeklarim.

Ajo paralajmëroi se në mars do të nisin kontrollet.

"Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që në 2019 ka filluar një punë sa i përket informalitetit në paga, puna ka qenë në informimin dhe takimin e tatimpaguesve që kjo dukuri të reduktohet dhe kjo ka pasur një ecuri të mirë.Marrë parasysh nga ajo që ndodhi me pagat, kemi dërguar më shumë 10550 letrave për subjekte që ne mendojmë se kanë risk në deklarimin e pagave. I kujtoj bizneset që data 20 janar është afati i fundit i deklarimit të listëpagesave si për biznesin e madh dhe të vogël. Presim që bizneset të bëjnë një reagim për ndryshimin e pagave që janë të nëndeklaruara.

Brahimaj tha se skandali me publikimin e pagave shërbeu për të rikthyer edhe njëherë në vëmendje këtë fenomen shqetësues.

"Ajo që ndodhi gjatë dhjetorit me të gjithë të keqen që e shoqëroi dhe dolën të dhëna sensitive pati një efekt pozitiv për këtë dukuri. Ne kemi marrë një plan masash që synojmë analizimin e të gjithë të dhënave të pagave, ky plan ka nisur. Do të presim datën 20 dhe çfarë reagimi do të kenë bizneset në këtë deklarim në mënyrë që të vijojmë me planin e masave deri në kontrollet e thelluara, deri në hetime. Është shumë e rëndësishme që bizneset të sensibilizohen".

Qeveria shqiptare parashikon një rritje ekonomike prej 4.1% për vitin 2022.

"16 mijë e 90 biznese të hapura gjatë 2021. Investimet kanë ardhur në rritje. Rritja ekonomike do të vazhdojë, jo në nivelet e 2021 por planifikojmë një rritje ekonomike 4.1% për 2022 dhe në vijim rritja do të normalizohet në nivelin 4%" tha ajo.

Duke folur për fiskalizimin, Brahimaj tha se ka pasur një shtyrje deri në 1 korrik të penaliteteve për këtë proces.

"Ka pasur një shtyrje të fiskalizimit deri në 1 korrik, afati përfundimtar ku mendojmë se do të përfundojë reforma e fiskalizimit. Do marrë kohën e vet. 86% e biznesit të madh ka filluar procesin e  fiskalizimit dhe lëshimin e faturave, si dhe 70% e biznesit të vogël e ka filluar këtë proces. Drejtoria e Tatimeve ka marrë masa që deri në fund të qershorit të jenë 100%".