Pas skandalit me pagat, Konfindustria: Të ndërpritet pa afat fiskalizimi, AKSHI nuk mund të kontrollojë bizneset

Konfindustria ka reaguar në lidhje me skandalin e publikimit të pagave të qytetarëve dhe bizneseve. Administratori, Gjergj Buxhuku, kërkon nga qeveria që të ndërpresë pa afat procesin e fiskalizimit pasi nuk ka asnjë garanci për sigurinë e tij dhe publikimi i të dhënave të bizneseve rrezikon falimentimin e tyre.

Kur kanë kaluar më shumë se 2 javë nga publikimi i databazës së pagave të më shumë se 630 mijë shqiptarëve, Konfindustria bën me dije se do të kërkojë ndërprerjen me ligj të procesit të fiskalizimit për bizneset.

Kërkesa vjen pas skandalit të rrjedhjes masive të të dhënave private të qytetarëve dhe bizneseve.

Në reagimin për mediet, administratori i Përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, kërkon që fiskalizimi për bizneset të jetë vetëm vullnetar për një afat të pacaktuar deri në sigurimin e standarteve të domosdoshme të sigurisë për këtë proces.

Sipas Konfindustrisë, AKSHI nuk është në gjendje të japë siguri për mbrojtjen e këtyre të dhënave personale që për bizneset përbëjnë edhe sekret tregtar dhe e ka të pamundur të kontrollojnë edhe kompanitë private ndërmjetëse të fiskalizimit.

Buxhuku vlerëson se rrjedhja dhe shitja e të dhënave në lidhje me furnitorët, çmimet e blerjeve dhe shitjeve, xhirot, fitimet dhe borxhet rrezikon falimentimin e bizneseve.

Kjo pasi të gjitha këto mund t’i shiten konkurrentëve dhe të rrezikojnë bizneset në fjalë.

Në dekaratë thuhet se publikimi i këtij skandali ka pasoja të rënda për gjithë ekonominë përfshirë këtu edhe rrezikun për kërkesa për dëmshpërblim nga ana e qytetarëve të prekur.