Bashkia Lushnje fal 1.47 miliard lekë, KLSH: Nuk janë mbledhur detyrimet nga bizneset

1.47 miliardë lekë është shuma që bashkia e Lushnjes nuk ka arritur t'i mbledhë nga taksat e bizneseve apo nga ndërtuesit. KLSH ka zbuluar se administrate nuk ka bërë asnjë përpjekje për shlyerjen e detyrimeve. Madje rezulton se 29 subjekte të shërbimit të hidrokarbureve as nuk janë regjistruar.

Bashkia e Lushnjes zbulohet me shkelje në pagesa për punime të pakryera, por edhe më mos mbledhje të taksave. Sipas auditimit të KLSH nga viti 2018 deri në vitin 2020 janë 1.4  miliardë lekë që nuk janë paguar nga tatim paguesit.

Rezulton se janë 1 miliard lekëve të pa mbledhura nga familjet dhe 319 milionë nga biznesi i vogël dhe i madh. 

Gjatë auditimit, vërehet se bashkia nuk ka ndërmarr asnjë veprim për të detyruar shlyerjen e pagesave përmes urdhër sekuestrimit apo konfiskimit të pasurive të debitorëve.

Madje administrate nuk ka vepruar as me denoncimin për ndjekjen ligjore të shkelësve.

Shkeljet kanë vazhduar edhe me favorizimin e  29 subjekte që tregtojnë hidrokarbure. Në dokument zbulohet se ato nuk figurojnë të regjistruar në të dhënat e Bashkisë për licencat e tregtimit.

Vlera e detyrimit që këto subjekte i kanë Bashkisë përllogaritet 39 milionë lekë.

Një tjetër e ardhur e munguar është arkëtimi i gjobave të Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në vlerën e 5.3 milionë lekëve. 

Por edhe për ndërtimet e reja dhe legalizimet nuk është vjelur taksa e ndikimit në  infrastrukturë duke krijuar një gropë prej 24. 8 milionë lekësh. Bëhet fjalë për 816 objektet të  ndërtuara.

Për këtë situatë Bashkisë Lushnje, së cilës i mungojnë 1.47 miliardë lekë, i kërkohet të marrë masa që të gjitha bankave të nivelit të dytë t’i dërgohen urdhrat e bllokimit të llogarive bankare. Deri në shlyerjen e pagesave.