Pezullohen krerët e burgut të Reçit, manipuluan dosjen e incidentit mes të dënuarve

Krerët më të lartë të burgut të Reçit janë pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Shkodrës pasi kanë falsifikuar dosjen e një incidenti mes të dënuarve. Ngjarja ka ndodhur në korrik, ndërsa pas saj, drejtori i burgut, shefi i policisë dhe efektivat, kanë falsifikuar dosjen me qëllim lehtësimin e ndëshkimit të autorëve.

Tre zyrtarët kryesorë të burgut të Reçit janë pezulluar nga detyra pas hetimeve nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe prokuroria e Shkodrës.

Maliq Meta, drejtor i burgut të Reçit së bashku me shefin e policisë Robert Budo dhe specialistin Gëzim Qoshku, akuzohen se kanë hartuar dokumentacion të falsifikuar pas një konflikti mes të dënuarve në institucionin që drejtonin.

Burime nga Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë thanë se më 11 janar, gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e pezullimit nga detyra për tre zyrtarët.

Drejtori i burgut, Maliq Meta dhe dy zyrtarët e tjerë Robert Budo dhe Gëzim Qoshku akuzohen pasi sipas Prokurorisë, hetimi vërtetoi se kanë falsifikuar raportet për një ngjarje të ndodhur në burgun e Reçit, pas një konflikti mes disa të dënuarve.

SHKBB ka marrë dijeni në rrugë operative në lidhje me rastin abuziv dhe ka kryer veprimet proceduriale në bashkëpunim me Prokurorinë.

Duke qenë se provat ishin të mjaftueshme, organi i akuzës kërkoi masën e pezullimit për zyrtarët në gjykatë dhe togat e zeza e aprovuan kërkesën duke i larguar të dyshuarit nga detyra.

Sipas hetimit, qëllimi i zyrtarëve ishte që të krijonin kushte lehtësuese, duke hartuar raporte të falsifikuar për të dënuarit autorë përkundër ndëshkimit sipas ligjit, me arsyetimin se kishte ndodhur një konflikt verbal.

Konkretisht më 20 korrik 2021, rreth orës 10:25 në ambientet e ajrimit në burgun e Reçit, të dënuarit me iniciale “E.Ç”, “F.G” dhe “P.N”, dhunuan me shkelma dhe grushte bashkëvuajtësin “E.Z.”

Nënkomisar Gëzim Qoshku përpiloi raport shërbimin e ngjarjes për autorët.

Më pas me urdhër të drejtorit dhe Shefit të Policisë, ai hartoi raport të dytë dhe kreu falsifikimin e firmave të efektivëve të policisë “G.Q.” dhe “E.Z.”.

Puna vazhdoi mbi raportet e falsifikuar në Komisionin Disiplinor, që kishte anëtar drejtorin Meta dhe shefin e policisë Bundo.

Hetimet vërtetuan falsifikimin e kryer në bashkëpunim, u morën deklarimet dhe u administrua i gjithë dokumentacioni i falsifikuar me qëllimin për ti lehtësuar autorët e incidentit nga masat ndëshkuese që duhej të merreshin ndaj tyre.