Video nga 8 janari, PD: Berisha përzgjodhi një grup mercenarësh të drejtuar nga Noka për të goditur demokratët

Partia Demokratike ka publikuar një video nga protesta e 8 janarit në të cilën pretendon se dhuna kundër PD u organizua dhe planifikua deri në detaje.

Sipas PD, Sali Berisha përzgjodhi një grup mercenarësh të drejtuar nga Flamur Noka për të goditur demokratët që ishin brenda selisë.

"Sali Berisha dhe banda e tij kriminale bënë gjithçka për të përplasur demokratët më njëri-tjetrin, por dështuan.Kryesia e PD, Kuvendi Kombëtar, Këshilli Kombëtar dhe mbarë demokratët qëndruan fort për të mos e kthyer partinë në bunkerin e një personi të shpallur non grata për korrupsion madhor nga partneri ynë strategjik".

Në deklaratën për media të PD thuhet se demokratët e kanë braktisur platformën e dhunës dhe të bashkuar do të ndërtojnë mbi rrënojat e se shkuarës, një PD moderne dhe europiane si alternativën më të mirë për ta nxjerrë Shqipërinë tonë nga tranzicioni 30 vjeçar.