FSHF, Duka: Në 2022 do të kemi një Ligj të Sponsorizimeve në futboll, nuk ka bojkot

Pas shumë bisedimesh, negociatash dhe mosmarrëveshjeve, FSHF dhe Ministria e Sporteve janë më pranë se asnjëherë drejt akordit për krijimin e Ligjit të Sponsorizimeve në futboll.

Kjo nismë një vit më pare shkaktoi edhe një bojkot të klubeve të Superiores për t’i bërë presion qeverisë por sot kreu i Federatës, Armand Duka pohoi se mënyra e qasjes nga palët ka ndryshuar dhe nuk ka më bojkot.

“Kemi ndryshuar taktikën me bojkot, tani po provojmë një taktikë tjetër. Në mbledhje që kemi pasur përpara Vitit të Ri me Ligën Profesioniste kemi vendosur që një përfaqësi e klubeve dhe e FSHF-së ta iniciojë këtë me ministren e Arsimit dhe të Sportit. Sot patëm një takim me Ministren e Sportit, Evis Kushi. Kërkuan nga neve për të riaktivizuar atë iniciativë të lënë më shumë se një viti më parë për Ligjin e Sponsorizimeve. Ministrja e priti shumë mirë propozimin tonë do ta ndjekim bashkarisht që të kemi një Ligj të Sponsorizimeve në vitin 2022. Ne kemi të njëjtin propozim, e rëndësishme është që të ketë një Ligj të Sponsorizimit”.

 

Për numrin 1 të futbollit, një ligj i tillë do të sigurojë mbijetesën jo vetëm për futbollin por do të shërbejë edhe për sportet e tjera në Shqipëri.

“Sporti nuk është thjesht një garë apo kampionat, sporti është një edukim, një nivel jetese për fëmijët tanë. Dua të falënderoj ministren Kushi për marrëdhëniet e mira FSHF-në dhe për një lloj ndryshimi të qasjes së saj për zhvillimin e sportit. Kam shumë besim që do ta vazhdojmë përpara. Të ketë një Ligj të Sponsorizimit që të sigurojë mbijetesën e sportit në përgjithësi në Shqipëri dhe jo vetëm në futboll, por në të gjithë sportet e tjera”, deklaroi kreu i Federatës së Futbollit, Armand Duka.