"Akuzon Ramën që i përdor kriminelët, por i përdori kundër demokratëve", Bylykbashi: Basha të votëbesohet dhe të shohë sa vota merr
"Akuzon Ramën që i përdor kriminelët, është vetë që i përdori kundër demokratëve."
Kështu u shpreh deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi në një intervistë në Ora News për Lulzim Bashën.
Sipas tij, në datën 8 janar, kur para selisë blu demokratët po protestonin, brenda godinës kishte njerëz të cilët nuk duhet të ishin futur brenda kurrë.
Bylykbashi: Kjo është në dorën e organeve ligjzbatuese. Ne kemi bërë një kallëzim penal ku do të dalin të gjitha përgjegjësitë për këta persona.
Bylykbashi tha se e vetmja gjë që i ka ngelur Bashës tani është përdorimi i parave për të bërë propagandë. Sipas tij, demokratët kanë hyrë në këtë betejë për demokraci në parti, jo për interesa personale të Bashës apo Berishës.
Bylykbashi: Lulzim Basha nuk çon drejt fitores, por e pamë që mund t'i çojë dhe në burg demokratët e tij. E nisi duke kallëzuar në SPAK deputetët e tij dhe tani ka çuar në burg demokratët e thjeshtë. Kuvendi i PD ka marrë vendim, ndër të tjera që të riorganizohet partia nga fillimi. Ne do zhbëjmë autokracinë që prodhoi Basha.
Bylykbashi tregoi se çfarë do të ndodhë pas protestës së 8 janarit. Sipas tij, askush nuk mendon se demokracia vjen me një moment të vetëm.
Bylykbashi: Lulzim Basha është personi që vlen më pak brenda PD-së në këtë moment, edhe moralisht. Axhenda jonë politike nuk është selia, selia është pjesë e saj. Selia është e demokratëve. Punimet e blinduara mund t'i marrë Lulzim Basha. Më 22 mars mblidhet Kuvendi i ri pasi e të kemi zgjedhur drejtuesit e seksioneve, 1 votë, 1 anëtar do të riorganizohet totalisht partia. Lulzim Basha mund të vazhdojë t'i bëjë fresk misionit të tij, të marrë kopertinën e parë të librit dhe t'i bëjë fresk misionit të tij.
Debatet në PD filluan në datën 9 shtator, kur Basha mori vendimin për të pezulluar Sali Berishën nga grupi parlamentar pas shpalljes së tij "non grata" nga SHBA.
Bylykbashi tha se në shtator do të ishte shumë e thjeshtë nëse Basha do thoshte "meqë nuk jeni dakord me këtë vendim një pjesë e mirë, shkojmë në votëbesim. E fusim vendimin në votëbesim."
Bylykbashi: Tani përsëri ka një mundësi. Lulzim Basha që mendon se është ai kryetari, e ka shkarkuar Kuvendi, le të provojë dhe të kandidojë, të shohë sa vota merr.
Deputeti tha se zgjidhja më e thjeshtë dhe më paqësore është vota e demokratëve.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku
