Gjykata liroi 4 personat e arrestuar për skandalin e pagave, Daci: Janë në hetim, kjo nuk i bën as fajtor as të pafajshëm
Katër personat e arrestuar si përgjegjës për publikimin e listës së pagave të 680 mijë shqiptarëve janë liruar nga qelia pasi qëndruan vetëm 48 orë në paraburgim.
Në lidhje me këtë avokati Jordan Daci, në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini është shprehur se Gjykata është mbështetur në dosje dhe prova për caktimin e një mase sigurie.
Ndër të tjera ai tha se lirimi nga paraburgimi nuk i bënë ata as fajshëm as të pafajshëm pasi janë nën hetim.
Jordan Daci: Gjykata ka pasur përpara dosje dhe të dhëna dhe me prova që mbështesin ose jo caktimin për një mase sigurie. Për këto lloj veprash te ne nuk ka dënime të rënda, mendoj se kjo duhet të pasurohet.
Nuk më duket apriori një vendim i kritikueshëm, përkundrazi ne nuk jemi mësuar me këtë politikë penale që është diçka krejt e zakonshme në botë. Kjo nuk i bën as të fajshëm as të pafajshëm sepse ato janë nën hetim dhe nesër pasnesër mund të jenë subjekt të një dënimi apo pafajësie në varësi të provueshmërisë apo jo të fajësisë tyre.
Daci theksoi se problemi i madh që ne kemi janë mënyrë dhe procedurat e parandalimit të rrjedhjes së të dhënave, ndërsa shton se dëmi që i është bërë vendit tonë është shumë i madh.
Jordan Daci: Ne kemi një problem më të madh, ne nuk kemi problem me personat që kanë lehtësi dhe janë pjesë e sistemit, ne kemi problem me mënyrat dhe me procedurat për parandalimin e ndodhjes së kësaj gjëje. Bota merr masa për të mos ndodhur, se tek e fundit, dënimi i një apo 100 personave nuk do zhbënte dënimin që ka ndodhur në Shqipëri. Një person që ne i besojmë këto lloj sistemesh nuk mund të jetë një person që punësohet në mënyrë krejt të zakonshme. Nuk mund të pretendojmë që njerëz që paguhen me paga qesharake do të na paguajnë të dhënat që vlejnë me miliona dollarë. Janë një tërësi sistemesh që vihen në punë për të parandaluar mundësinë e rrjedhjes.
I pyetur nëse ka ndonjë zgjidhje për skandalin, Daci tha se e vetmja zgjidhje është gjenerimi i numrave të rinj i personave që janë prekur si dhe lëshimi i kartave të reja dhe pasaportave biometrike. Daci ka treguar dhe disa nga rreziqet e rrjedhjes së të dhënave.
Jordan Daci: E vetmja zgjidhje që ne kemi në këtë rast është gjenerimi i numrave të rinj personal të gjithë personave që janë prekur, si dhe lëshim të kartave dhe pasaportave të reja biometrike. Nëse kjo ndodh të gjithë ne jemi kandidat të mundshëm për vjedhje identiteti, për të marrë kredi, për të bërë pastrim parash, për të regjistruar shoqëri tregtare në emrin tonë. Mund të përfshihemi pa dashje në rastin e financimit të terrorizimit.
Përgatiti Anila Kolgjini.
