Pas skandalit me të dhënat, qeveria merr vendimin për forcimin e sigurisë kibernetike

Duket se pas skandalit të daljes së të dhënave të shqiptarëve në publik, qeveria po merr masa për të forcuar sigurinë kibernetike në vend.

Kështu, me anë të një VKM-je të ditës së sotme, qeveria ka miratuar memorandumin me grupit Jones International, ashtu sikurse Rama e pati lajmëruar më herët.

“Për të forcuar sistemin tonë të mbrojtjes, ne po punojmë, në bazë të marrëveshjes sonë me qeverinë amerikane, të tetorit, për të përfshirë në këtë sistem një prej forcave më të mëdha të ekselencës së mbrojtjes kibernetike, që është General Jones kompania që mban emrin e krijuesit të saj, gjeneralit Jones, që ka qenë drejtuesi i gjithë forcave të NATO-s dhe që është e përfshirë aktualisht në vendin tonë në mbrojtjen kibernetike të OST dhe KESH.” – tha Rama në 24 dhjetor 2021.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.2/2017, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Grupit Jones International, për forcimin e sigurisë kibernetike të infrastrukturës kritike për Shqipërinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.” – thuhet në vendim.

Një vendim i tillë i qeverisë duket se do të forcojë sigurinë kibernetike në vend, pas disa skandaleve që kanë bërë që të dhënat e shqiptarëve të dalin në “Pazar”.

Lidhur me këtë çështje u arrestuan 4 persona, por pas 48 orësh ata u lanë të lirë nga Gjykata me masën detyrim paraqitje, vendim që është dënuar nga opozita.