Stilistja shqiptare me famë në Gjermani tregon bashkëpunimet me artistët

Ditën e sotme në emisionin e pasdites “Jeto me Orën” në RTV Ora ishte e ftuar në lidhje ‘Skype’ një tjetër shqiptare e suksesshme, që jeton në Berlin të Gjermanisë. 

Ajo është Fate Kastrati, 33 vjeç me origjinë nga Peja, por prej 24 vitesh jeton me familjen në Berlin. Stilistja Kastrati u shpreh në studio se dëshira për të ndjekur modën dhe dizenjimin e tyre, kishte lindur që në fëmijëri.

“Mbaj mend që kur kam qenë fëmijë, merresha me qepje të ndryshme veshjesh. Shokët dhe shoqet gjithmonë më thoshin që sa mirë i bëja. Nga aty më lindi dëshira dhe pasioni për t’a ndjekur këtë gjë, ku më pas u kthye në një punë të vërtetë për mua”, u shpreh Fate Kastrati.

Ndërkohë, më tej ajo rrëfeu edhe për eksperiencën e saj të bashkëpunimit me artistë, modele dhe personazhe publik të njohur. Ajo tha se të punosh me persona të tillë ka qenë shumë e thjeshte dhe njëkohësisht e bukur.

“Të punosh me artistë ka qenë shumë e thjeshtë dhe e bukur. Pasi, unë kam punuar qoftë për artistë por, edhe për njerëz të thjeshtë. Moda më ka pëlqyer që në fëmijëri, kur kam qenë e vogël. Dëshira ime ishte të vishesha me një stil ndryshe nga të tjerët. Kjo bëri që më vonë të hapja edhe biznesin tim në vitin 2015”, u shpreh ndër të tjera Krastati.

Fate Kastrati tashmë, që prej vitit 2015 ka hapur biznesin e saj në fushën e modës në Berlin të Gjermanisë.