Rikthehen reshjet e dëborës/ Zbardhen Dibra, Kukësi e Shkodra, shi në pjesën tjetër të vendit
Dibra u zgjua e mbuluar nga dëbora, mëngjesin e së premtes ndërsa temperaturat shënuan rënie të ndjeshme gjatë natës.
Në Peshkopi, trashësia arriti 3 cm, ndërsa në zonat e thella deri në 10 Cm.
Rrugët janë të gjitha të hapura, por rreziku është për orët në vijim, kur temperaturat e ulëta mund të krijojnë ngrica.
Gjatë natës reshjet e dëborës u rikthyen edhe në Kukës, Has e Tropojë në veri.
Në Vasije të Bushtricës, trashësia arrin në 30 Cm, në Tropojë raportohet për 15 Cm dëborë dhe në Qafë Prush 30 Cm.
Rrugët nacionale në qarkun e Kukësit janë të qarkullueshme normalisht.
Por në shumë akse rurale ka vështirësi për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe inerteve, ku raportohet se po punohet.
Dëbora zbardhi edhe qarkun e Shkodrës.
Vështirësi janë krijuar në akset Qafë Mali-Fierzë, Vau i Dejës-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin.
Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Nga zonat e thella në qarqet Dibër, Kukës e Shkodër, ka probleme energjinë elektrike, por deri më tani fatmirësisht nuk ka raportime për emergjenca.
Shkollat në të gjithë veriun mësohet se kanë nisur rregullisht mësimin.
Ndërsa pjesa tjetër e vendit, është përfshirë nga reshje lokale shiu dhe temperature të ulëta.






