“Shkollat për shëndetin” projekti 4.56 milionë franga zvicerane që do implementohet deri në 2025

Këshilli i ministrave të Republikës së Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje me Konfederatën Zvicerane për projektin “shkollat për shëndetin”.

Konfederata Zvicerane si palë kontraktuese ka detyrime që deri më 28 shkurt 2025 të lëshojë fonde në formën e një granti të pakthyeshëm ekuivalent me një shumë maksimale prej 4,56 milionë franga zvicerane.

Ndërsa pala shqiptare e përfaqësuar nga Ministria Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, do të veprojnë si bashkëpërgjegjës për strategjinë e projektit dhe si bashkëkryesuese në takimet e Komitetit Drejtues, duke siguruar lidhjen e projektit me politikat kombëtare dhe kornizën përkatëse ligjore, e deri te vendosja në dispozicion për ndarjen e nevojshme të buxhetit për të rimbursuar tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Projekti dypalësh i bashkëpunimit “Shkollat për shëndetësi”, do ta zhvillojë fazën e parë nga periudha mars 2021 deri në shkurt 2025.

Objektivi kryesor i fazës së parë është një popullatë shqiptare më e shëndetshme, duke zvogëluar ekspozimin ndaj faktorëve kryesorë të rrezikut me një fokus të veçantë në sëmundjet jo ngjitëse.

Në këtë nismë do të përfshihen fëmijët e moshës shkollore (6-16 vjeç), familjet e tyre dhe komuniteti në tërësi, që kanë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të parandaluar faktorët e rrezikut për SJT-të dhe përballuar emergjencat shëndetësore si COVID-19.

Për të arritur objektivin e kësaj marrëveshjeje, autoritetet përgjegjëse do të bashkëpunojnë me sektorin publik dhe privat.

Vendimi i plotë:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Miratimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila vepron përmes Ambasadës Zvicerane në Shqipëri për projektin “Shkollat për shëndetësi”, faza e parë, mars 2021–shkurt 2025, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Marrëveshje ndërmjet këshillit të ministrave të republikës së Shqipërisë dhe konfederatës zvicerane përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila vepron përmes Ambasadës Zvicerane në Shqipëri mbi Projektin “Shkollat për Shëndetësi”.

Faza e parë mars 2021–shkurt 2025 Një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi Në një përpjekje për të forcuar marrëdhëniet miqësore ekzistuese ndërmjet dy vendeve, Sipas dhe në zbatim të Marrëveshjes Fillestare në lidhje me Bashkëpunimin Teknik dhe Financiar, si edhe Ndihmën Humanitare ndërmjet Këshillit Federal Zviceran dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më 11 maj 2007 dhe ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar si ligji nr. 9801, më 13 shtator 2007, në vijim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 44, datë 27.1.2021 “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe Konfederatës së Zvicrës, e përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, duke vepruar përmes Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, mbi programin “Promocioni shëndetësor dhe parandalimi i sëmundjeve kronike në shkolla”, faza përgatitore, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi”.

Në respekt të parimeve demokratike dhe të drejtave themelore të njeriut siç përcaktohen veçanërisht në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut që frymëzojnë politikat e brendshme dhe të jashtme të të dyja Palëve Kontraktuese dhe që përbëjnë një element thelbësor në baza të barabarta me objektivat e kësaj Marrëveshjeje.

Përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes do të jenë autoritetet Konfederatës Zvicerane: Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e përfaqësuar nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

SDC-ja, si autoriteti përgjegjës i palës zvicerane, do t’ia besojë zbatimin e projektit organizatës joqeveritare “Save the Children” Sëitzerland, si ofruesi fitues që rezultoi nga procedura e hapur e tenderimit.

Qëllime dhe objektiva

1. Kjo marrëveshje do të mbulojë fazën e parë mars 2021–shkurt 2025. Objektivi kryesor i fazës së parë është: një popullatë shqiptare më e shëndetshme, duke zvogëluar ekspozimin ndaj faktorëve kryesorë të rrezikut me një fokus të veçantë në sëmundjet jongjitëse.

2. Rezultatet kryesore të fazës së parë përbëhen nga sa më poshtë vijon:

a) fëmijët e moshës shkollore (6-16 vjeç), familjet e tyre dhe komuniteti në tërësi, kanë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të parandaluar faktorët e rrezikut për SJT-të dhe përballuar emergjencat shëndetësore si COVID-19;

b) mësuesit dhe drejtorët e shkollave promovojnë sjellje të shëndetshme, masat e duhura të higjienës e praktikat e sigurta mjedisore dhe angazhohen në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm në klasë dhe në shkollë;

c) pushteti qendror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore promovojnë shëndet, masat e duhura të higjienës dhe praktikat e sigurta mjedisore në një qasje ndërsektoriale bazuar në evidencë (fakte), standarde dhe udhëzime të reja bashkëkohore.

3. Për të arritur objektivin e kësaj marrëveshjeje, autoritetet përgjegjëse do të bashkëpunojnë me sektorin publik dhe privat duke përfshirë, por pa u kufizuar me:

a) Institutin e Shëndetit Publik, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Operatorin e Shërbimit Shëndetësor dhe degët e tij rajonale, Departamentin e Shëndetit Publik/Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Fondin e Sigurimit Shëndetësor (FSSH), Bashkitë, zyrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë dhe grupe të tjera interesi.

4. Ndërhyrjet kryesore, aktivitetet dhe rezultatet e parashikuara janë specifikuar në përmbledhjen e Dokumentit të Projektit, bashkëlidhur kësaj marrëveshjeje (shtojca 1).

Konfederata Zvicerane si palë kontraktuese ka këto detyrime specifike:

a) deri më 28 shkurt 2025, Konfederata Zvicerane do të lëshojë fonde në formën e një granti të pakthyeshëm ekuivalent me një shumë maksimale prej 4,600,000 CHF (katër milionë e gjashtëqind mijë franga zvicerane), të cilat do të përdoren ekskluzivisht për zbatimin e projektit sipas objektivave dhe rezultatet e përcaktuara në nenin 3;

b) ky grant nuk mund të përdoret për ndonjë qëllim tjetër. Çdo pjesë e papërdorur e grantit që mbetet në fund të projektit është subjekt i rifinancimit të Konfederatës Zviceriane;

c) granti do të disbursohet dhe kontrollohet në përputhje me dispozitat e kontratës ndërmjet SDC dhe partnerit zbatues.

2. Detyrimet specifike të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfshijnë:

a) Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, që do të veprojnë si bashkëpërgjegjës për strategjinë e projektit dhe si bashkëkryesuese në takimet e Komitetit Drejtues;

b) të sigurojë lidhjen e projektit me politikat kombëtare dhe kornizën përkatëse ligjore për përparësitë e sektorit shëndetësor në mënyrë që të mundësojë dhe promovojë koherencën e objektivave të projektit me kushtet e kornizës kombëtare të sektorit shëndetësor;

c) të mbështesë lehtësimin dhe shpërndarjen e përvojave dhe informacionit bazuar në rezultatet e arritura dhe ndikimet e projektit në nivelin kombëtar;

d) të mbështesë dhe të lehtësojë lidhjen dhe bashkëpunimin me ministritë e tjera dhe institucionet e tjera;

e) të sigurojë reagimin dhe bashkëpunimin e strukturave të varësisë në nivelin rajonal dhe ose lokal;

f) të mbështesë dhe të ndihmojë në hartimin e aktiviteteve që do të përshkruhen në dokumentin e projektit;

g) të vendosë në dispozicion ndarjen e nevojshme të buxhetit për të rimbursuar tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), në:

i. referenca në fazën fillestare të projektit mars 2020–shkurt 2021 një shumë maksimale prej 80 000 (tetëdhjetë mijë frangash zvicerane) CHF;

ii. referenca në fazën e parë të projektit (mars 2021–shkurt 2025) një shumë maksimale prej CHF 605.000 (gjashtëqind e pesë mijë franga zvicerane); Buxheti i nevojshëm për të rimbursuar tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) do të vihet në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

h) Këshilli i Ministrave u jep ekspertëve të huaj të angazhuar në këtë marrëveshje dhe familjeve të tyre një përjashtim nga të gjitha taksat gjatë vlefshmërisë së kësaj Marrëveshjeje, sipas nenit 4.1, pika “c”, të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Konfederatës Zvicerane dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin teknik dhe financiar, si edhe Ndihmën Humanitare, ratifikuar me ligjin nr. 9801, datë 13.9.2007, “Për ratifikimin e ‘Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Federal Zviceran ‘Për bashkëpunimin teknik, financiar dhe humanitar””.

Menaxhimi i Projektit

1. Projekti është një ndërmarrje e përbashkët midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe SDC-së përmes Ambasadës së Zvicrës.

2. Konfederata Zvicerane ka ngarkuar “Save the Children” Sëitzerland si partner zbatues për projektin. Partneri zbatues merr përsipër të gjitha detyrat operacionale dhe administrative të projektit, përfshirë disbursimet e buxhetit, monitorimin dhe raportimin e aktiviteteve të projektit.

3. SDC-ja mund të ngarkojë, gjithashtu, ekspertë të huaj dhe vendorë, afatgjatë dhe afatshkurtër për të mbështetur zbatimin e Projektit në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si edhe bazuar në planin vjetor të aprovuar të veprimeve nga komiteti drejtues.

4. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të lehtësuar zbatimin e aktiviteteve të dakorduara të Projektit; bashkëlehtësojnë takimet e Komitetit Drejtues; sigurojnë qasje në informacionin përkatës, përfshirë të dhënat statistikore që vlerësohen të nevojshme dhe të dobishme për arritjen e objektivave të fazës së parë. Informacioni do të përdoret vetëm për qëllimet e Projektit.

Neni 6 Mbikëqyrja dhe bashkërendimi

1. Në mënyrë që të sigurohet mbikëqyrja e përgjithshme, cilësia, rëndësia dhe koordinimi i Projektit, si dhe për të adresuar çështjet e politikave, Komiteti Drejtues (KD) do të takohet dy herë gjatë fazës së parë (çdo shkurt dhe nëntor normalisht).

2. KD-ja do të përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë me të drejtë vendimmarrjeje dhe 7 (shtatë) anëtarë me statusin e vëzhguesit dhe pa të drejtë të vendimmarrjes dhe do të kryesohet nga palët kontraktuese:

a) Anëtarët me të drejtë vendimmarrjeje:

i. 1 përfaqësues i Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri (bashkëkryesues);

ii. 1 përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (bashkëkryesues); iii. 1 përfaqësues i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (bashkëkryesues);

iv. 1 përfaqësues i Institutit të Shëndetit Publik;

v. 1 përfaqësues i Operatorit të Shërbimit Shëndetësor;

vi. 1 përfaqësues i Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor;

vii. 1 përfaqësues nga njësitë e vetëqeverisjes vendore; b) Anëtarët me status vëzhguesi:

 i. 1 përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kujdesit parësor/shëndetit publik;

ii. 1 përfaqësues i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar; iii. 1 përfaqësues i Departamentit të Shëndetit Publik;

iv. 1 përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë;

v. 1 përfaqësues i Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullatën/Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët;

vi. 1 përfaqësues i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë;

vii. 1 përfaqësues nga OJF - të aktive në shëndetësi.

3. Sipas nevojës dhe temës së diskutimit, pjesëtarë të tjerë mund të ftohen të marrin pjesë nën rolin e vëzhguesit.

4. Sekretariati i KD-së sigurohet nga partneri zbatues. Menaxheri i projektit merr pjesë në takim pa të drejtë të vendosë.

5. KD-ja do të arrijë kuorumin vetëm kur të jenë të pranishëm të gjithë përfaqësuesit me të drejtë të vendosjes. Vendimet arrihen me konsensus të të gjithë anëtarëve të pranishëm me të drejtë vendosje. Nëse nuk mund të arrihet konsensusi, do të fillojë një proces negocimi. SDC-ja, si përfaqësues i Konfederatës Zvicerane, rezervon të drejtën e vendimit përfundimtar, në rast se konsensusi nuk arrihet pas procesit të negociatave.

6. KD-ja do të kryejë detyrat e mëposhtme:

a) do të rishikojë dhe diskutojë progresin në lidhje me promovimin e shëndetit (p.sh. qasja qeveritare ndërsektoriale për promovimin e shëndetit dhe parandalimin e SJT-së (sëmundjeve ngjitëse) promovimin e shëndetit në shkolla, kapacitetin e mësuesve, ndryshimet në kurrikula mësimore, rolin e sektorit shëndetësor, mekanizmat e financimit të promovimit të shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse);

 b) do të rishikojë dhe aprovojë raportet gjashtëmujore dhe vjetore të progresit, përfshirë statusin e shpenzimeve kundrejt buxhetit;

c) do të komentojë dhe aprovojë planin vjetor të aktiviteteve të Projektit të paraqitur në SDC;

d) do të monitorojë progresin e zbatimit të projektit kundrejt objektivave/treguesve dhe planeve vjetore të punës;

e) do të drejtojë aktivitetet kërkimore dhe aktivitetet e monitorimit dhe vlerësimit gjatë zbatimit të projektit;

f) do të japë udhëzime për Projektin për përafrimin e aktiviteteve të tij të detajuara vjetore në përputhje me përparësitë kombëtare;

g) do të thërrasë për ndihmë teknike të specializuar në fushat kryesore kur është e nevojshme; h) do të identifikojë, diskutojë dhe propozojë zgjidhje për problemet e mundshme të sektorit të shëndetit publik në Shqipëri dhe masat e nevojshme.

7. Takim i paplanifikuar mund të thirret me kërkesë të njërit prej anëtarëve të KD-së. Takimet bashkë drejtohen nga palët kontraktuese. “Palët Kontraktuese” do të nënkuptojë Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Konfederatës Zvicerane, ndërkohë që si bashkëdrejtuese janë Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, MSHMS-ja dhe MASR-ja.

8. Palët Kontraktuese do të informojnë menjëherë njëra-tjetrën dhe, për aq sa është e mundur, këshillohen me njëra-tjetrën, për çdo ngjarje, e cila ndërhyn ose kërcënon të ndërhyjë në zbatimin e suksesshëm të projektit.