Presidenti brazilian i shpëton sërish ‘thikës’

 

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro është lejuar të dalë nga spitali pasi u kurua në një nga organet e sistemit tretës, probleme të cilat iu shfaqën pasi 3 vite më parë gjatë fushatës në 2018, u sulmua me thikë gjatë një tubimi.

Bolsonaro shpërndau një postim në rrjetin social Twitter ku rrëfente se ishte lejuar nga spitali.

"I autorizuar për të lënë spitalin tani. Faleminderit të gjithëve. Unë mund të bëj gjithçka nëpërmjet Atij që më forcon."

Bolsonaro shpërndau edhe një fotografi nga ambientet e spitalit së bashku me disa mjekë në rrjetin social Instagram.

66-vjeçari pati disa dhimbje të forta në bark gjatë pushimeve të Vitit të Ri të cilat e detyruan të shkonte me urgjencë në spital në San Paolo të hënën.

Kryekirugu i spitalit tha se nuk ishte e nevojshme që presidenti t’i nënshtrohej një operacioni.

Lideri i së djathtës ekstreme, Bolsonaro u qëllua me thikë në 7 shtator 2018, ku humbi edhe 40% të gjakut dhe përfundoi në spital në gjendje kritike për jetën.

Bolsonaro u plagos nga një burrë, i cili shkoi me nxitim drejt atij, por më vonë sipas pretendimeve agresori rezultonte se diagnostikohej për probleme të shëndetit mendor.

Bolsonaro, i cili kërkon një mandat të dytë në tetor të këtij viti po përballet me pakënaqësi nga brazilianët lidhur me trajtimin e pandemisë, por dhe recensionit të lartë ekonomik me të cilin përballet Brazili.

Megjithëse protestat kundër Bolsonaros kanë qenë periodike, ky i fundit nuk ka ngurruar që të demonstrojë forcën e mbështetësve të tij.

Vetëm në ditën e Pavarësisë së Brazilit, rreth 6 milionë persona u tubuan nëpër rrugët e të gjitha qyteteve të vendit për të mbështetur presidentin kontrovers të së djathtës ekstreme.