Presidenti brazilian përfundon sërish në spital
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro u shtrua në spital mëngjesin e sotëm 3 janar.
Shtrimi në spital u konfirmua për CNN nga kirurgu Antônio Luiz Macedo, i cili e shoqëronte Bolsonaron që nga plaga me thikë në shtator 2018.
Sipas burimeve, Presidenti ka dhimbje stomaku, ndaj është ekzaminuar për të përcaktuar nëse ka nevojë për operacion.
Me helikopter, Bolsonaro u largua nga bregu i Santa Catarina për në Joinville (SC), ku u nis me gruan e tij Michelle Bolsonaro dhe vajzën Laura për në São Paulo. Avioni presidencial u ul në Congonhas pak pas orës 1 të mëngjesit të së hënës.
Rrjeti televiziv brazilian “Globo” shfaqi fotografitë e Bolsonaros duke zbritur shkallët e aeroplanit presidencial pasi ai u ul në Sao Paulo një orë e gjysmë pas mesnate, dhe më pas u transferua në spitalin “Villa Nova Star”.
Bolsonaro është shtruar disa herë në spital që kur u godit me thikë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2018.
