Macron paralajmëron "telashe" për të pavaksinuarit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka dhënë një intervistë për gazetën prestigjioze ‘Le Parisien’ ku ka deklaruar se do t’ua vështirësojë jetën të pavaksinuarve në Francë.

Macron tha se do t’i shqetësoj ata që nuk kanë marrë vaksinën, do të vazhdojmë ta bëjmë deri në fund, por megjithatë ai sqaroi se nuk do të vaksinojë askënd me detyrim, por do të përpiqej t’i inkurajonte njerëzit që të vaksinoheshin.

Nga 15 janari deklaroi Macron, të pavaksinuarit nuk mund të hyjnë nëpër bare, restorante, teatro apo kinema.

Deklaratat e Macron nënkuptojnë se nga mesi i janarit të gjithë njerëzve do t’u kërkohet vetëm pasaporta e vaksinës dhe jo më testi negativ, që kishte qenë alternativë deri tani.

Kundërshtarët politikë të Macron thanë se gjuha e egër që ai përdori në intervistë nuk ishte e denjë për një president.

Komentet e tij i shtynë deputetët të pezullojnë debatin mbi një ligj që ndalon të pavaksinuarit nga pjesa më e madhe e aktiviteteve publike.

Seanca në Asamblenë Kombëtare u ndërpre për natën e dytë me radhë pasi opozita u ankua për gjuhën e presidentit, duke e përshkruar atë si të padenjë, të papërgjegjshëm dhe të paramenduar.

Asnjë emergjencë shëndetësore nuk justifikon fjalë të tilla,  shkroi në Twitter Bruno Retailleau, kreu i Senatit të republikanëve.

Emmanuel Macron thotë se ka mësuar t'i dojë francezët, por duket se i pëlqen veçanërisht t'i përçmojë ata.

Një nga kandidatet kryesore për presidente, Valérie Pécresse, tha se ishte e indinjuar që presidenti kishte akuzuar njerëzit e pavaksinuar se nuk ishin qytetarë.

"Duhet t'i pranoni ashtu siç janë, t'i udhëhiqni, t'i bashkoni dhe mos t'i ofendoni."

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine le Pen i quajti vulgare deklaratat e Macronit, kjo dhunë e presidentit shtoi ajo, dëshmon se ai kurrë nuk e ka konsideruar veten president të të gjithë francezëve.

Edhe kandidati për president nga e majta, Jean-Luc Mélenchon i përshkroi komentet e Macron si një rrëfim të habitshëm, duke shtuar se pasaporta e vaksinimit është një dënim kolektiv kundër lirisë individuale.

Deklaratat e Macron vijnë 4 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të prillit, me interes do të jenë sondazhet pas komenteve të presidentit francez, i cili aktualisht është në krye të listët me 25% të votave në raundin e parë.

Në Francë mbi 5 milionë persona janë ende të pavaskinuar.