Vettingu shkarkon Luan Dacin, në pikëpyetje fati i 35 vendimeve të firmosura prej ish-anëtarit
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra Luan Dacin, duke e cilësuar si të papërshtatshëm për shkak të dënimit të dhënë ndaj tij më herët me 6 muaj burg për falsifikim dokumentash. Shkarkimi i ish-zyrtarit të lartë të Kolegjit të Apelimit, pritet të jetë një nga arësyet për të dërguar drejt Gjykatës së Strazburgut vendimet e firmosura prej tij nga gjyqtarët dhe prokurorët e penalizuar.
Shkarkimi nga detyra i anëtarit të KPA-së, Luan Daci, i cili është dënuar nga GJKKO për falsifikim të dokumentash, pritet të hapë probleme me 35 vendimet e firmosura prej tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Të enjten Daci u shkarkua përfundimisht nga një komision i përbërë nga tre kolegët e tij në KPA Natasha Mulaj, Ina Rama dhe Albana Shtylla, të cilat i cilësuan shkeljet e tij si tepër të rënda.
"Natyra dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes disiplinore klasifikohet ndër më të rënda dhe e bën të papërshtatshëm për kryerjen e detyrës së gjyqtarit të këtijinstitucioni. Ndaj Kolegji vendosi shkarkimin nga detyra".
Daci prej muajsh ishte pezulluar nga detyra, por pavarësisht kësaj ai paraqitej në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ndonesë nuk ishte pjesë e trupave gjyqësore.
Pas vendimit të kësaj të enjteje ai humb çdo të drejtë që të paraqitet në KPA dhe bashkë me te edhe privilegjet si makina shoqëruesit, ndërsa pritet që së shpejti të bëhet edhe zëvendësimit të tij.
Sipas ligjit për organet e vettingut bashkë me përzgjedhjen e kandidaturave, të cilët kanë fituar mandatin 9 vjeçar janë përzgjedhur edhe kandidatët zëvendësues.
Për Luan Dacin janë dy kandidatë zëvendësuese, Mimoza Tasi dhe Etleva Papleka, por se cila nga këto do të zëvendësojë Dacin atë do ta vendosë Kuvendi.
Kallëzimi për Luan Dacin u bë në SPAK nga disa prej subjekteve të shkarkuara prej tij, ndërkohë që një kallëzim i ngjashëm edhe bërë edhe për një anëtar tjetër, Artan Hajdarin.

