Optimistë për 2022-shin, sondazhet: Ekonomi më e qëndrueshme, do bëhemi më tolerantë

Viti që ka hyrë do të jetë më i mirë se ai që shkoi, ku situate ekonomike do të jetë nën kontroll dhe njerëzit do të bëhen më tolerantë me njëri-tjetrin pas asaj që kaluam. Këto janë gjetjet e një sondazhi masiv të kryer në 33 vende të botës.

Kompani të ndryshme anekënd botës bëjnë sondazhe se si qytetarët e shohin vitin që vjen. Revista dhe institute të caktuara shkruajnë edhe mbi temat dhe problematikat që pritet të ngërthejnë vendet dhe opinionin publik.

Kompania ndërkombëtare Ipsos u kërkoi mbi 22,000 të rriturve në 33 vende të japin parashikimet e tyre për vitin 2022. Mbi 75% e të intervistuarve mendojnë se viti 2022 do të jetë një vit më i mirë se 2021-shi.

Sipas tyre, shfaqja e vaksinës kundër COVID-19-ës jep shpresë për kohë më të mira që do të vijnë. Një në tre njerëz të intervistuar mendon se shoqëritë do të bëhen më tolerante.

Mbi tre të katërtat e të intervistuarve kanë vendosur objektiva të qarta për vitin 2022.

Ekspertët e kompanisë së sondazheve japin edhe 5 pikat qëndrore të cilat dolën pas studimit.

Përparimi i programeve të vaksinimit po u jep njerëzve shpresë se gjërat do të përmirësohen. 

Sa i përket mjedisit, megjithëse njerëzit në mbarë botën presin që ngjarjet ekstreme të motit të shkaktuara nga ngrohja globale të intensifikohen në vitin 2022, ka më shumë optimizëm për gatishmërinë e njerëzve për të ndërmarrë veprime për ta ndalur atë.

Pothuajse mbi një e treta e njerëzve në mbarë botën presin që shoqëria e tyre të bëhet më tolerante si rezultat i ngjarjeve të dy viteve të fundit. 

Kjo ndjenjë është më e fortë në Kinë, ku 83% presin rritje të tolerancës në vitin 2022, megjithëse vetëm 9% e njerëzve në Francë janë dakord.

Optimizmi për gjendjen e ekonomisë globale po rritet. Njerëzit kanë pritshmëri më të mëdha për stabilitetin e tregut në vitin 2022.

Një fakt që ra në sy është edhe skenari i pushtimit alien të Tokës. 14% e të anketuarve menduan se kjo do të ishte e mundshme në 2022-shin.

39% e thonë se presin që një fatkeqësi natyrore të prekë një qytet në vendin e tyre, 38% mendojnë se hakerat nga një fuqi e huaj mund të shkatërrojnë sistemet e tyre kompjuterike, 34% mendojnë se armët bërthamore do të përdoren dhe 27% kanë frikë nga zhvillimi i inteligjencës artificiale.