Në burg 3 të arrestuarit për 119 kg kokainë në banane, policia zbuloi drogën pas tentativës për grabitjen e ngarkesës

Administratori i kompanisë së tregtimit të bananeve dhe 2 shoferët që u arrestuan me 119 kg kokainë tri ditë më parë janë lënë në burg pa afat nga Gjykata e Tiranës. Në dosje është zbardhur edhe fakti se policia e gjeti lëndën narkotike pas njoftimit për tentativë grabitje pasi persona të pa identifikaur kishin mbajtur peng për 30 minuta kontenjerin në zonën e Vaqarrit.

Gjykata e Tiranës la në qeli pa afat tre personat e arrestuar me 119 kilogramë kokainë të fshehur në një ngarkesë me banane tri ditë më parë.

Administratori Marson Murataj si dhe 2 shoferët e kompanisë Gëzim Kalaja dhe Hasan Saliu, janë deri tani të akuzuarit e vetëm për kontenjerin me ngarkuar me banane ku zbuluan 119 kg kokainë që vinte nga Ekuadori.

Në dosjen hetimore është përshkruar edhe momenti kur persona të pa indentifikuar kanë tentuar ta grabisin ngarkesën me banane ku ndodhej edhe lënda narkotike.

Sipas prokurorisë, ata i kanë zënë pritë personave që po transportonin kontenjerin me banane në rrugën qe të çon për në Vaqarr.


Sipas shoferit, personat të maskuar i kane dalë para makinës i kanë bllokuar i kanë thenë se "Jemi shteti, hapu krahun këtu dhe në sendiljen e parë të pasagjerit i ka hipur njeri".

Shoferi ka hapur krahun në hyrje të karburantit dhe po rrinte me njërin nga këtë personat, i cili i ka thënë "Mbylle gojën se do të zhduk familjen po hape gojën", tre personat e tjerë kanë shkuar në pjesën fundore të kontenjerit kanë hapur derën dhe janë futur brenda ku ka ndenjur rreth 30 minuta dhe kanë kontrolluar në kontenjer, ku më pas ata janë larguar në drejtim të Durrësit.

Shoferi ka parë se goma e krahut të pasagjerit ishte e rënë dhe ka shkuar tek dera e pasme e kontenjerit dhe ka parë që arkat e bananeve ishin të lëvizura.

Pasi ka sistemuar arkat, ka mbyllur derën e kontenjerit dhe është nisur me gomë të rënë në drejtim të një karburanti.

Aty ka njoftuar punonjësit e firmës, shtetasit Edi Shkreta dhe Petrit Demishaj, të cilëve u ka thënë që ti sillnin gomat.

Pas 2 orësh ka ardhur shoferi tjetër i firmës Gëzim Kalaja, i cili e ka ndihmuar dhe rreth orës 21:30, ka shkuar tek magazinat e kompanisë në Vaqarr, Tiranë.

Më pas me datë 29 dhjetor 2021, për këtë ngjarje ka komunikuar me menaxherin Marson Murataj, të cilit i ka treguar situatën që kishte ndodhur, dhe me datën 30 dhjetor 2021, e kanë njoftuar policia.

Gjatë shkarkimit të materialeve, disa arka kanë rezultuar më të rënda se zakonisht ndërkohë që pas hapjes forcat e rendit kanë zbuluar edhe sasinë e kokainës.