U vetëvar në qelinë e burgut në Itali, Ora News mëson identitetin e shqiptarit, i dënuar për drogë

RTV Ora e Ora News ka zbardhur identitetin e të dënuarit shqiptar, i cili u gjet i vetëvarur në burgun e Salernos në Itali.

Pas një bisede me garantin e Policisë së burgjeve të rajonit të Salernos, gazetarja e RTV Ora e Ora News në Romë, ka mësuar se shqiptari i vetëvarur quhet Arben.A datëlindja 2/08/ 1993.

Vetëm pak muaj më parë ai kishte mbushur 28 vjeç.

Ahmeti ishte i dënuar për trafik droge e ishte dhe një përdorues droge.

Prej disa muajsh ndodhej në burgun e Salernos, pas vendimit përfundimtar të gjyqit ndaj tij, i cili e dënonte me heqje lirie deri në mes të vitit 2023.

Para se të futej në burgun e Salernos, viktima shqiptare ndodhej nën urdhër arrest shtëpiak me byzylyk elektronik.

Sipas verifikimeve të bëra nga drejtoria e burgut të Salernos, shqiptari kryente video-thirrje të rregullta me familjarët e babain e tij në Shqipëri.

Shqiptari Ahmeti u gjet i vetëvarur në hekurat e qelisë së burgut të Salernos ku qëndonte i vetëm.

Ai është viktima e parë e vetëvrarë në burgjet italiane për vitin 2022.

Gjatë vitit 2021 në burgjet italiane janë regjistruar 54 vetëvrasje, ndërsa në vitin 2020 62.

Viti më dramatik ka qënë 2018, ku numri i të burgosurve të vetëvrarë arriti në 67.