Po kërkohet në të gjithë Piemonten, shqiptari që u arratis nga burgu grabiti prodhuesin e verës në 2018
Kristjan Mëhilli, 27-vjeçari shqiptar, që u arratis nga burgu në Itali gjatë natës së ndërrimit të viteve akuzohej si pjesë e bandës së personave "Me sy të akullt" që në nëntor 2018 në Cella Monte, në zonën e Alessandrisë, hynë në vilën e Riçardo Coppo, një sipërmarrësi i njohur i verërave nga Monferrato, duke marrë para dhe sende me vlerë për rreth 40 mijë euro.
“Nëse nuk më çon tek kasaforta do të qëlloj”, ishte kërcënimi që shqiptari i kishte bërë sipërmarrësit, të cilit gjatë grabitjes i është drejtuar disa herë armën në kokë.
Pikërisht edhe emri i bandës "Me sy të akullt", u përcaktua nga media falë ftohtësisë së veprimit të grabitësve shqiptarë.
Ata u arrestuan nga karabinieria në maj të vitit 2019 pas një opeacioni me teknika ushtarake për shkak se grupi i grabitësve klasifikohej me rrezikshmëri të lartë.
Kristjan Mëhilli dhe anëtarët e tjerë akuzoheshin për një seri vjedhjesh në vilat luksoze të zonës së Piemontes dhe Lombardisë.
Mëhilli së bashku me një të dënuar tjetër shqiptar kanë pritur natën e ndërrimit të viteve për të vënë në jetë një plan që me siguri e kanë studiuar prej disa kohësh.
Në orët kur të gjithë po festonin vitin e ri, dy të burgosurit u arratisën nga burgu i Vercellit në një skenar të ngjashëm me filmat duke sharruar hekurat dhe duke përdorur çarçafët me të cilët kanë zbritur nga kati i katërt.
Tentativa rezultoi pa sukses për njërin nga dy të burgosurit, i cili theu krahun dhe nuk arriti të vazhdonte më tej planin e arratisë.

Nga ana tjetër 27-vjeçari Kristan Mëhilli arriti të arratisej, falë edhe disa bashkëpunëtorëve që e prisnin në makinë pranë burgut.
Policia italiane ka nisur kërkimet për kapjen e të arratisurit si dhe për të zbardhur mënyrën e arratisjes dhe momentet ku ka gabuar administrate e burgjeve.
Donato Capece, sekretar i përgjithshëm i sindikatës së policisë së burgjeve, e cilësoi ngjarjen të paralajmëruar pasi tha se prej kohësh siguria e brendshme e burgjeve është cënuar nga mungesa e stafit dhe e fondeve.
