Tiranë: 12 djem e 2 vajza fëmijët e parë të Vitit 2022 në kryeqytet
12 djem dhe 2 vajza kanë ardhur në jetë pas mesnate deri në orët e para të mëngjesit në dy maternitetet e Tiranës.
Në traditën e përvitshme, Ministrja Ogerta Manastirliu ishte mëngjesin e sotëm pranë fëmijëve të parë të vitit 2022, ku shpërndau çekun e bebes për të porsalindurit, me urimin që ky vit të jetë i shëndetshëm dhe i begatë për të gjithë shqiptarët.
“Viti 2022 do të jetë viti i fëmijëve, i zbatimit të politikave dhe programeve të reja për fëmijët tanë.
Do të vijojmë programin e kujdesit neonatal me investimet në maternitetet e reja të Beratit, Kukësit, investimin madhor në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” si dhe në maternitetin Koço Gliozheni. Investimet tona nuk do të ndalen”, tha Manastirliu.
Ministrja tha se janë më shumë se 115 mijë fëmijë që kanë përfituar nga programi i bonusit të bebes që prej vitit 2019.
Vetëm këtë vit mbi 40 mijë fëmijë e kanë marrë bonusin dhe ky program që mbështet të porsalindurit, do të vijojë.
