Burrel: Festoi me plumba kallashnikovi Vitin e ri 2022, në shtëpi i gjejnë dhe detonatorë

Një 42 vjeçar është arrestuar ndërsa një 21 vjeçar është shoqëruar në polici pasi akuzohen se kanë qëlluar me armë zjarri për të festuar ndërrimin e viteve.

"Gjatë patrullimeve dhe kontrollit të zonës me qëllim ruajtjen e rendit e sigurisë publike dhe parandalimin e çdo ngjarje të mundshme kriminale, rreth orës 00.20, datë 01.01.2022, në lagjen "Drita", Burrel, kanë dëgjuar të shtëna armësh dhe menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes" informoi më 1 janar 2022, policia.

Eshtë bërë ndërhyrja e shoqërimi në Komisariat i 2 shtetasve pasi dyshohej se ishin ata që kishin qëlluar me armë zjarri në ajër pranë banesës së tyre.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shterasit G. K., dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë shtetasi M. K., të dy banues në Burrel.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit  automatik, 35 fishek, një kallëp dinamiti, tre kapsolle detonatore dhe 3 gëzhoja në vendin e ngjarjes.

I arrestuari është identifikuar me inicialet G.K ndërsa 21 vjeçar që procedohet penalisht është identifikuar me inicialet M.K.