Operacioni anti-drogë, policia jep detaje: Si erdhi kokaina nga Ekuadori, arrestohet administratori i kompanisë dhe dy shoferët
Policia ka dhënë detaje në lidhje me superaksionin e zhvilluar ditën e djeshme në Tiranë, ku janë sekuestruar 119 kilogramë kokainë, brenda kontejnerit me banane.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionin policor të koduar “Romanati”, kanë rënë në pranga 3 persona, administratori i firmës import-eksporti me vendet e Amerikës Latine, dhe dy shoferë të kësaj kompanie.
Si erdhi droga nga Ekuadori në Shqipëri.
Sipas policisë, kontenjeri ka kaluar tranzit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e vulës.Për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar mungesë të arkave me banane. Pas këtij konstatimi kanë mbyllur dhe riplumbosur kontenjerin, duke e shoqëruar me procesverbalin përkatës.
Kontenjeri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës.
Përgjatë rrugës nacionale Durrës, Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontenjerin është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe kontenjerin me banane dhe më pas janë larguar me shpejtësi pas kontrollit të kontenierit. Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit.
Të arrestuarit:
H. S., 63 vjeç dhe G. K., 31 vjeç, banues në Tiranë, drejtues të automjeteve të firmës.
M. M., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme import-eksporti me vendet e Amerikës Latine.
Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë ushtruar kontroll në kamionin që transportonte kontenjerin.
