Superaksion në Tiranë: Sekuestrohen 100 kg kokainë brenda një kompanie bananesh. Arrestohet shoferi dhe shkarkuesi

Një superaksion i kryer nga sektori i trafiqeve dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, ka çuar në sekuestrimin e rreth 100 kilogramë kokainë në Tiranë.

Ndërhyrja 'Blic', e agjentëve të policisë mësohet të jetë kryer rreth orës 13:00 të ditës së sotme në një biznes në zonën e Vaqarrit, që ndodhet afër urës së Beshirit, raporton Ora News.

Ora News mëson se kokaina është gjetur brenda një kompanie bananesh, ndërsa oporacioni është mbikqyruar nga Struktura e Posaçme SPAK.

Droga nga Ekuadori 

Mësohet se droga e sekuestruar kishte ardhur nga Ekuadori. Pasi ka kaluar në disa porte, kontenjeri në cilin ndodhej droga ka mbërritur në portin e Durrësit, ku dhe ka qëndruar për tre ditë.

Sapo ka dalë nga porti në drejtim të magazinës në Vaqarr, dhe sapo është futur kontenjeri brenda magazinës në ‘Urën e Beshirit’ ka ndërhyrë policia, e cila ka bllokuar kokainën.

Po ashtu bëhet me dije se dy persona janë ndaluar. Bëhet fjalë për shoferin e kamionit dhe personi që do e ndihmonte me shkarkimin e arkave të bananeve. 

Ora News mëson se operacioni është zhvilluar nga zyrtarë të policisë së Tiranës dhe strukturat e SPAK, por nuk jepen detaje se kush ka qenë linja e trafikut të kokainës.

Operacioni është monitoruar nga porti i Durrësit dhe deri në zonën e 'Urës së Beshirit' në Vaqarr.

Pritet që detaje të tjera në lidhje me aksionin "Blic" të dalin në vijim.