S’ka rritje të energjisë për biznesin e mesëm, do të përfitojnë nga masat mbrojtëse
Rreth 7500 biznese përfshirë edhe ujësjellësit do të përfitojnë nga masat mbrojtëse ndaj rritjes së çmimit të energjisë, e cila do të jetë e vlefshme deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaron se këto biznese do jenë pjesë e konsumatorëve që përfshihen në grupin e familjarëve dhe biznesit të vogël.
Pas familjarëve dhe biznesit të mesëm e të vogël, qeveria ka vendosur të mbrojë nga kriza energjetike edhe biznesin që furnizohet në tensionin e mesëm. Janë gjithsej 7 440 biznese, përfshirë edhe ujësjellësit që do të përfitojnë nga këto masa, të cila do të jenë të vlefshme deri në muajin qershor të vitit të ardhshëm.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur gjatë takimit me përfaqësues të shoqatave dhe biznesit se kjo masë nuk ndihmon liberalizimin e tregut, por konsumatorin.
“Kur sot po përballet shteti me çmime te paperceptueshme, kemi marre një vendim qe shkon ne limitet e sakrificës sa i takon buxhetit te shtetit. Kemi marre vendim për te mbrojtur tensionin e mesëm me afat deri ne qershor. Rreth muajit mars kemi indicie qe do ketë ulje te çmimit me shprese qe konsolidohet ne muajin qershor.”
Një hap i tillë vjen pas kundërshtimit nga ana e biznesit të strategjisë së qeverisë për të detyruar daljen në treg të lirë për blerjen e energjisë. Shoqatat e biznesit kanë kërkuar që qeveria të rishikojë vendimin pasi një skemë e tillë do rriste shumë kostot e tyre dhe për pasojë dhe rritjen e çmimit të produkteve që hedhin në treg këto biznese.
“Problemi qe ka biznesi është se ne dalim nga tregu global, çka do te thotë se duhet te harrojmë eksportet sepse rritet kosto. Nëse rritja është kështu është vrasëse, mbyllemi totalisht si industri.”
Shqetësimit të biznesit, ministrja i përgjigjet:
“Jemi me vonese një 5 vjeçar për te përmbushur kushtet dhe kërkesat qe ne kemi nga BE. Te kërcënosh shtetin dhe ti thuash qe unë do mbyll linjat e prodhimit, tregu nuk do ngelet bosh, do mbushet nga sasi te tjera, por kush do vuaje, konsumatori.”
Zyrtarja e qeverisë pohoi gjithashtu se nga ana e prodhuesve ka abuzim me rritjen e çmimeve. Sipas saj, ditën që rritet çmimi i naftës në Arabinë Saudite, të nesërmen në Shqipëri ka një rritje të çmimit të bukës, kafes dhe naftës.
