Ndikimi i pandemisë tek depozitat, frika nga COVID i bëri individët dhe bizneset të kursejnë

Pandemia dhe frika e përkeqësimit të ekonomisë i ka bërë individët dhe bizneset të kursejnë duke rritur depozitat në banka. Sipas statistikave të bankës së Shqipërisë ky trend ka ndryshuar vetëm gjatë muajit nëntor të këtij viti kur depozitat kanë shënuar një tkurrje të lehtë. Në krahasim me një vit më parë kursimet janë rritur me 101.6 miliardë lekë, kryesisht në valutë të huaj.

Pasiguria e krijuar nga pandemia ka bërë që depozitat të shfaqin tendencë rritje nga fillimi I vitit deri në tetor por sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë kjo situatë ka ndryshuar në nëntor. Ky muaj shënon momentin kur depozitat e individëve, bizneseve dhe institucioneve mbajnë në banka kanë shënuar rënie për herë të parë që nga nëntori 2019.

Sipas këtyre të dhënave, stoku i depozitave përgjatë muajit nëntor zbriti në 1.18 trilionë lekë ose rreth 9.6 miliardë euro me një rënie prej 8.6 miliardë lekësh krahasuar me muajin e mëparshëm.

Megjithatë krahasuar me nëntorin e një viti më parë, kursimet janë rritur ndjeshëm me gati 101.6 miliardë lekë. Rritja është udhëhequr kryesisht nga valuta dhe më pak nga monedha vendase.

Që prej fillimit të pandemisë depozitat e qytetarëve dhe bizneseve në banka kanë shënuar një rritje të fortë, sidomos ato në lekë, duke reflektuar edhe pamundësinë për të kryer shpenzime gjatë muajve të karantinës si dhe bllokimin e lëvizjes me vendet e tjera.

Referuar po këtyre të dhënave, rënie të depozitave ka pasur si në lekë po ashtu dhe në valutë me një tkurrje më të lartë se monedha vendase. Në raport me muajin e kaluar kursimet në lekë kanë rënë me 2.8 miliardë lekë, ndërsa ato në valutë u reduktuan me 5.7 miliardë lekë.

Si rrjedhojë, nga të dhënat rezulton se shqiptarët mbajnë pjesën më të madhe të kursimeve të tyre në valutë, kryesisht në monedhën euro.

Rënia e depozitave gjatë muajit të kaluar ka ardhur kryesisht nga bizneset, të cilat duket se janë të prirura të investojnë dhe shpenzojnë pas disa muajsh kufizime gjatë vitit të kaluar.