Lejuan kultivimin e kanabisit, SHÇBA fut në burg zinxhirin komandues të polisicë Mallakastër
Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Fier ka arrestuar disa punonjës policie të zinxhirit komandues në Mallakastër për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës.”
Në pranga kanë rënë 2 komisarë, 1 nën komisar dhe 5 inspektorë të komisariatit Mallakastër.
Këta punonjës policie dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor - shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike, thuhet në njoftimin e sotëm të SHÇBA.
Parcelat me bimë narkotike janë gjetur në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, ngjarje për të cilën më herët janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas.
Masat e sigurisë
Sipas njoftimit të SHÇBA u caktua masa arrest me burg për:
-Komisar Elvin Karaj, me detyrë Shef i Seksionit të Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër,
-N/Komisar Endrit Vika, me detyrë Specialist i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër,
-Inspektor Ermal Beharaj, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe të Përgjimit në DVP Fier,
-Inspektor Erlind Likaj, me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër,
-Inspektor Ornel Kuqari, me detyrën e Laborantit Kriminalistik pranë DVP Fier.
Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe për punonjësit e mëposhtëm të policisë:
- Komisar G.P., në detyrën e ish-Shefit të Komisariatit të Policisë Mallakastër
-Inspektor Y. K., me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër
-Inspektor I.B., me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër
Masat e sigurisë për këtë procedim penal janë nxjerrë në vijim të procedimit penal për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës.”
Nga hetimi i këtij procedimi penal është bërë e mundur sigurimi i provave ku janë gjetur disa parcela në vende të ndryshme të hapura dhe të mbjella në disa sipërfaqe të njësisë administrative Poçem, Mallakastër.
Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë.
