Trajneri me i mirë në botë, Driton Kuka: Pa votimin e shqiptarëve nuk ia dilja. Ja si arrihet në majë!
Driton Kuka është zyrtarisht trajneri më të mirë në botë në sportin e xhudos. Trajneri kosovar garoi me emra të njohur në botë për çmimin e parë. Në një lidhje në Skype në studion e “Jeto me Orën” Dritoni tregoi me tepër rreth kësaj eksperience dhe planeve për të ardhmen. Ai tregoi se ky vit për të ka qenë tepër me angazhime.
“Ky vit për ekipin tonë ka dhënë medalje suksesi në të gjitha garat duke kulmuar me Lojërat Olimpike e cila është një nga garat më të mëdha për sportin kemi arritur të kthehemi me dy medalje të arta. Këto fitore lënë të kuptohet se sporti i xhudos është mjaft i suksesshëm në vendet tona si në Kosovë edhe në Shqipëri," u shpreh Kuka.
Përsa i përket çmimit që ai mori si trajneri më i mirë në botë, tregoi se si ishte i gjithë rrugëtimi deri në këtë çmim.
“Federata botërore e Xhudos ka përzgjedhur për çdo kategori dhe nga pesë më të mirë gjatë vitit ku në mesin e trajnerëve të nominuar kam qenë edhe unë. Trajneri i Japonisë, Francës, Suedisë, Austrisë si dhe unë kemi qenë në mesin e pesë më të mirëve. Dhe më pas u votuam me një votim të lirë ku të them të drejtën populli shqiptarë më ka përkrahur shumë. Gjithsej janë grumbulluar nëntë mijë vota për të gjithë trajnerët ku ndër to unë isha më i votuari. Dhe ditën ku u shpall fituesi të them të drejtën kam qenë shumë i befasuar pasi këtë titull kisha pritur që ta merrte japonezi, i cili është një shtet që ka shumë përgatitje,” u shpreh trajneri.
Dritoni tregoi se është mjaft krenar pasi edhe pse një shtet i vogël i sapo dal nga lufta prapë ja dolëm që të fitonim mes më të mirëve. Ai tregoi ndër të tjera që është befasuar edhe nga mediet që e kanë përcjell shumë si ngjarje.
“Unë gjithmonë kam qenë pranë futbollistëve por jam i befasuar sesa më kanë përkrahur shumë njerëz. Çdo njeri që takoj më befason pasi s'ka njeri që nuk ka njohuri në lidhje me këtë ngjarje,” u shpreh Kuka.
Trajneri tregoi edhe për fillimet e tij në këtë sport.
“Unë e kam nisur xhudon si sport kur isha në moshën 9-vjeçare, ne si familje jemi marrë më sportin e xhudos, trajneri i parë ka qenë vëllai im i madh. Ndërsa në vitin 1992 unë e kam ndërprerë karrierën time në këtë sport dhe më pas, pas përfundimit të luftës kam vazhduar si trajner pasi vitet e mija të arta si garues kishin përfunduar për fat të keq pa ndonjë arritje pavarësisht se kam qenë shumë premtues pasi isha tek ndër më të mirët tek të rinjtë e xhudos në Ish-Jugosllavisë, tek më të mirët në Europë por e gjithë kjo u ndërpre në kohën më të mirë për karrierën time si sportist. Edhe pse mund të ketë ndikuar tek këmbëngulja ime si trajner që ato që nuk munda t’i arrij dot si garues po i arrij nëpërmjet nxënësve të mijë” u shpreh Kuka.
Ai tregoi se në këtë sport më së tepërmi e kanë befasuar vajzat.
“Në këtë sport më kanë befasuar vajzat, kjo gjeneratë ka ardhur pas luftës rreth viteve 2000 ku sot i kemi kampion. Por po jam i befasuar pasi kemi një rini këmbëngulëse dhe që punojnë fort. Fëmijë dhe talent si në popullin shqiptarë gjen rrallë, pasi janë shumë të përkushtuar. Janë eksperienca shumë të mira pasi vihen re edhe nga medaljet që ne fitojmë” u shpreh trajneri.
Ndër të tjera trajneri tregoi edhe cilësitë që duhet të ketë një sportist i mirë i xhudos.
“Qëndrueshmëria mendoj se është kryesore në sportin tonë pasi është një sport luftarak që nuk duhet të ndalesh. Që sot të jesh i mirë dhe nesër të jesh më i mirë se sot të them të drejtën kërkon përkushtim shumë. Garuesit tanë trajnohen 8 orë në ditë padiksutim që ka të bëjë shumë edhe trajneri dhe mbështetja e madhe që edhe qeveria jep” u shpreh trajneri.
Dritoni tregoi se është shumë krenar që Kosova renditët në shtet më të mira në këtë sport.
“E vërtet që Kosova renditët tek shtete më të mira në këtë sport. Në kampionatin Eurpoian është renditur si shteti numër një ndërsa në Lojërat Olipmike është renditur pas Japonisë,” përfundoi Kuka.

