Rikthehet gripi i syrit, më të prekur janë fëmijët e kopshteve dhe çerdheve
Këtë dimër është rikthyer gripi i syrit pas gati një viti mungesë në kushtet e pandemisë. Mjekët thonë se vizitojnë rreth 6 pacientë në ditë me shenjat e gripit, ndërsa më të prekur janë fëmijët që frekuentojnë çerdhet dhe kopshtet.
Ndryshe nga një vit më parë kur coronavirusi ishte virusi i vetëm që qarkullonte, këtë dimër, është përhapur edhe gripi i syrit.
Mjeku okulist Rubin Topi, sqaron se kryesisht janë fëmijët e kopshteve dhe të çerdheve që po shfaqin më së shumti këto shenja.
"Më shumë po shohim moshat e vogla, fëmijët sidomos ata që janë në kopsht dhe çerdhe. Ai lloj ambienti shërben si një llok inkubatori ku fëmijët mund t'ia ngjisin këtë infeksion viral njëri-tjetrit. Në ditë mund të shohim minimalisht 5-6 raste, por mund të ketë dhe më shumë," thotë mjeku.
Simptomat që shfaqen nga ky grip janë skuqje dhe irritim i syrit, që nëse nuk kurohen ose kurohen gabim rrezikojnë shikimin.
"Një ndër shenjat kryesore është që pacienti gdhihet në mëngjes ose me njërin sy, ose me të dy sytë njëkohësisht dhe i ka si të ngjitur me sklepa, shumë të skuqur dhe ka ndjesinë sikur ka diçka brenda në sy," shtoi mjeku.
Mjekët këshillojnë që të bëhet kujdes me higjienën personale por edhe me shmangien e ambienteve të me shumë persona.

