Fikte radarët për trafikun e kanabisit, dënohet me 17 vite burg ish-polici i Fierit, Festim Lelaj
Gjykata e Posaçme dënoi sot me 17 vite burg, qa sa kishte kërkuar dhe SPAK, ish-nënkomisarin e Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i proceduar dhe arrestuar në 2017-ën për trafik narkotikësh në episodin e 2.5 tonë kanabis.
Procesi për ish-nënkomisarin, i cili ka qenë një nga efektivët e implikuar në atë që u quajt kanabizim në vitet 2016-2017, u zvarrit për të paktën dy vite në Gjykatë. Edhe SPAK ka hasur vështirësi ne ecurinë e procesit, kjo për shkak të ndryshimit të gjyqtarëve.
Lelaj akuzohet për 'Trafikimi i narkotikëve', në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, 'Grup i strukturuar kriminal' "Kryerja e e veprave penale nga organizata kriminale.
Festim Lelaj, një efektiv policie nga Vlora por në atë kohë me detyrë nënkomisar në drejtorinë e Fierit, është arrestuar në dhjetor të vitit 2017 si personi që ka organizuar trafikimin e 2.5 tonë drogë nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Sasia e madhe e drogës është kapur në janar 2017 brenda një kamioni në Ancona, ndërkohë policia vendase mundi të kapë vetëm shoferin. Lidhur me këtë rast policia italiane ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku përgjatë një vit hetime, është konkretizuar me prova konkrete implikimi i nënkomisarit të policisë në këtë trafik droge.
Sipas prokurorisë Lelaj ka qenë pjesë e një zinxhiri policor që janë implikuar me grupet e trafikut të drogës në Vlorë dhe se kishte njohje të afërt me shtetasin Renaldo Avduli, polici i Vlorës i shpallur në kërkim për “Trafik të narkotikëve”.
Ka dyshime të forta thotë prokuroria se nënkomisari Lelaj ka lidhje me grupet kriminale që kultivonin lëndën narkotike në zonën e Treblovës dhe Vezhdanishtit.
Në dosjen e SPAK për operacionin “Shpirti”, mes të tjerash thuhej se me ndikimin e kreut të bandës “Lanit”, Festim Lelaj e fikte për një orë radarin, që kontrollonte bregdetin dhe ujërat kombëtare, duke realizuar nisjen e mjetit me drogë.
Në kohën që ka ndodhur vepra penal në 2014-2017, Festim Lelaj ndodhej në Drejtorinë e Kufirit. Sipas të penduarve, ai merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut dhe në përgjime atë e cilësojnë si “Festim kokëlopa”.

