"Kam vajzën me 40 temperaturë", qytetarët në radhë para Qendrës Shëndetësore, nuk ka teste Covid
Mungesa e testeve për Covid 19 në Qendrat Shëndetësore në Tiranë është kthyer në një problem. Dhjetëra qytetarë presin prej ditës së djeshme për të kryer analizën dhe për të mësuar nëse janë infektuar apo jo por në Qendrën Shendetësore 4/1 nuk ka teste.
Mungesa e testeve të Covid-19 është kthyer në një problem në Qendrat Shëndetësore 4/1 në kryeqytet, duke bërë që të mblidhen një numër i madh qytetarësh në radhë.
Qytetarët shprehen të revoltuar, pasi po presin të sëmure prej dy ditësh për të bërë tamponin por ju thonë se nuk ka.
"Kam vajzën me 40 temperaturë. Kemi ardhur për të bërë testin, erdhja dje në 11, Qendra ishte e hapur dhe nuk kishte teste. Dhe sot që në 8:30 dhe presim" u ankua një nga qytetarët në radhë.
Punonjësit e Qendrës Shendetësore justifikohen me faktin se dita e hënë ka qenë pushim dhe se është bërë porosia.
Kjo situatë është dhe më shqetësuese pasi grumbullimi i qytetarëve mund të rrezikojë infektimin e personave, të cilët mund të mos jenë me Covid.

