Harta e re, Manja për mbylljen e gjykatave: Në godinat ekzistuese do mbahet hapur një sportel për qytetarët

Ministria e Drejtësisë, si një nga aktorët e angazhuar për hartën e re gjyqësore, në prezantimin e saj për publikun tha se  kjo hartë garanton tre kritere kryesore.

Ministri Ulsi Manja tha se harta e re gjyqësore afron gjykatat me njeriun, do të rrisë cilësinë dhe do të përdorë më së miri dhe burimet publike.

Ulsi Manja: Reforma në drejtësi që në gjenezën e saj është udhëhequr nga nevoja për të ofruar drejtësi cilësore dhe të shpejtë. Reforma në drejtësi është në fazën e konsolidimit të saj.Paketa e ligjeve të reformës në drejtësi u plotësua dhe me ndryshimet e marsit të këtij viti. Qeveria shqiptare ka ofruar mbështetje të pakursyer financiare gjatë 5 viteve të fundit. Kemi ngritur sistem pagash në nivele dinjitoze. Është koha e duhur që këto investime të përkthehen në përfitime për qytetarët që trokasin në dyert e gjykatave dhe prokurorive. Për rritjen e produktivitetit të gjykatave paraqesim këtë propozim në bashkëpunim me KLGJ për rishikimin e hartës gjyqësore. Grupi i punës së KLGJ ka kryer një punë të lavdërueshme.Garanton çdo qytetar si dhe palët e interesuara përfshirë dhe avokatët që ky propozim është balancimi më i mirë i tre objektivave, afërsisë së gjykatës me individin, përdorimit me efektshmëri të burimeve publike si dhe rritjen e cilësisë dhe përtshmërisë së ofruara për qytetarët.

Manja kujtoi se lëvizjet demografike në Shqipëri kanë treguar se popullsia është përqëndruar pranë qyteteve të mëdha, veçanërisht në Tiranë dhe Ultësirën Perëndimore.

Manja: Mbi 90% e popullsisë në Shqipëri do të ketë akses në Gjykatën e Apelit në Tiranë për më pak se dy orë.

Manja shtoi gjithashtu se pavarësisht se selia e gjykatës mund të zhvendoset, KLGJ duhet të kujdeset që në godinat ekzistuese të gjykatave të ruajë një sportel për të gjithë qytetarët ku mund të paraqesin kërkesë-paditë apo kërkesat e ndryshme që lidhen me gjykimin e çështjeve si dhe të marrin shërbime të tjera nga administrata e gjykatës.