"Nuk blejmë dot asgjë” Çmimet në stratosferë, produktet ushqimore dhe fruta-perimet rriten 20%
Tradita e keqe e rritjes së çmimeve në prag të festave nuk u ndal as këtë fundvit. Në Berat, këtë të dielë fruta perimet ishin shtrenjtuar me 20 lek, ndërsa Gjeli i Detit arriti 800 lek për kilogram. Në Gjirokastër ndërkohë mishi po konsiderohet luks pasi ka arritur 1300 lek. Banorët thonë se përballë këtyre çmimeve, tryeza e fundvitit do të tregojë varfërinë.
Banorët e Beratit këtë të dielë i blenë fruta dhe perimet me 10 deri në 20 lek më shtrenjtë se një ditë më parë.
Rritje kishte shënuar edhe Gjeli i Detit, i konsideruar si mbreti i tryezës festive të ndërrimit të vitit.
Përballë këtyre çmimeve të diktuara ca nga tregtarët e mëdhenj e ca nga shitësit e vegjël, konsumatorët thonë se ndjehen të pambrojtur.
Për shkak të çmimeve dhe pamundësisë ekonomike, tryeza festivë këtë vit në shumë familje në Berat do të jenë të varfëra.
Ushqimi po u kushton më shumë këtë fundvit edhe gjirokastritëve.
Rritjen kanë pësuar frutat dhe perimet me 20 deri 30 lekë kg.
Mishi ndërkohë është shtrenjtuar me 400 lek për kilogram duke u konsideruar produkt luksi për pensionistët e familjet me të ardhura të pakta.
Një kilogram shkon deri në 1 300 lek.
Blegtorët që vete shesin me 500 lek për kilogram japin dy arsye për rritjen e çmimit të mishit.
E para shtimi i eksporteve që ka krijuar mungesë produkti dhe e dyta abuzimi nga tregtarët.
Tradita e keqe e rritjes së çmimeve në prag të festave nuk u ndal as këtë fundvit, ndërsa institucionet e mbrojtjes së konsumatorit duket se edhe një herë dështuan në detyrën e tyre.
Në këto kushte, shumë familje në nevojë në të gjithë vendin do të festojnë rreth një tavoline që do të dëshmojë gjendjen ekonomike.


