“Duhet kod i ri elektoral” Celibashi: Jo arnim të vjetrit para zgjedhjeve, të rishikohet edhe “non grata”

Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet në një intervistë për RTV Ora shprehet se ka ardhur koha që politika të hartojë një kod të ri elektoral, pasi sipas tij do të jetë më efiçent se sa të arnohet çdo vit i vjetri. Sipas Celibashit edhe ligji i Dekriminalizimit duhet të rishikohet, që çështja “non grata” të specifikohet më qartë për të mos i lënë end interpretimeve.

Në janar partitë politike do të ulen sërish në tryezë për diskutuar për reformen zgjedhore.

Në një intervistë për RTV ORA, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi mendon se ndoshta ka ardhur koha që legjislativi të mendojë për një kod të ri se sa të bëjë ndryshime sa herë ndodhet para zgjedhjeve.

Celibashi: Mendoj se është më mirë një kod i ri zgjedhor, pasi ky që kemi është arnuar zgjedhje pas zgjedhje. Do të ishte mirë një kod i ri.

Duke marrë shkas nga ndryshimet e fundit, Celibashi kërkon nga politika që në këtë tryezë KQZ të ketë një rol aktiv, që të mos mbetet vetëm para faktit të kryer.

Celibashi: Logjika do që të marrësh edhe mendimet e faktorëve të tjerë politikë, aq më tepër KQZ-së.

Ndryshe nga PS, Kryekomisioneri nuk mendon që ë Shqipëri nuk është ende koha që partitë politike të mos jenë fare të përfshira në administrimin zgjedhor.

Celibashi: Ka ardhur koha që partitë të mos kenë kaq të drejta në raport me procesin zgjedhor, por akoma jo totalisht të shkëputura nga procesi.

Përveç kodit zgjedhor, sipas Celibashit duhet të rishihet edhe ligji i dekriminalizimit, pasi për çështjen e “non grata” nuk duhet të lënë me hapësirë për interpretim.

Celibashi: Ligji për dekriminalizimin ka nevojë për një ridiskutim dhe duhet të jetë i qartë rasti kur jë zyrtar nuk merr dot një zyrë publike. Do të duhet të mos lihet hapësirë për interpretim subjektiv.

KQZ mendon se pretendimet e palës humbëse pas çdo procesi zgjedhore nuk do të marrin fund as me ndryshimet dhe as me kodin e ri.