Trafikoi 1 ton kokainë drejt Roterdamit, dënohet me 4 vite burg 29-vjeçari shqiptar

Ditën e sotme gjykata në Roterdam dënoi 29-vjeçarin shqiptar F.M. me katër vite burg në trafikun e afro 1000 kilogramëve kokainë nëpërmjet portit të Roterdamit. 

Duke marrë parasysh marrëveshjet procedurale, në vend të pesë viteve burgim gjykata vendosi një burg prej katër vitesh, nga të cilat një vit ulet me një periudhë prove prej tre vitesh.

F.M. është dënuar krahas trafikut të 998.5 kilogramëve kokainë edhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale, posedim armë zjarri dhe municione, dhe pastrim parash, në vlerë 60 500 euro. 

Ai nuk ka qenë kurrë i dënuar për vepra penale në Holandë, bëjnë me dije mediat. 

Më 7 Prill 2020, një kontejner detar i ngarkuar me 998.5 kilogramë kokainë mbërriti në portin e Roterdamit.

Pas konfiskimit nga dogana, kontejneri është lënë i lirë sërish dhe është marrë nga një transportues. 

Pasi kontejneri u transportua më tej nga F.M., ai njoftoi të dyshuarit e tjerë përmes shërbimit të bisedës Sky ECC se kontejneri ishte bosh.

Sipas sistemit të drejtësisë, i dyshuari 29-vjeçar, si përdorues i një llogarie Sky ECC, ka pasur kontakte të shpeshta me përdorues të tjerë të Sky nga marsi 2020 deri në korrik 2021. 

Vendimi i gjykatës është në përputhje me kërkesën e Prokurorisë Publike, teksa prokurori publik kërkoi katër vjet burgim.