Spanja rikthen mbajtjen me detyrim të maskave në ambientet e jashtme

Spanja planifikon të rikthejë  përdorimin me detyrim të maskave kundër Covid, në ambientet e jashtme, pasi ditët e fundit ka regjistruar një numër të lartë infektimesh me kornavirus, duke iu afruar numrit rekord prej 50,000 infeksionesh të reja brenda 24 orëve.

“Përdorimi i maskës do të bëhet sërish i detyrueshëm në ambientet e  jashtme”, thanë në një deklaratë autoritetet qeveritare.

Në tekst nuk specifikohet se kur do të zbatohet masa, por sot, pritet të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e kabinetit për miratimin e këtij dekreti, në mënyrë që përdorimi i maskave në ambientet e jashtme të bëhet me detyrim.

Spanja, një nga vendet e para në botë që u vaksinua kundër koronavirusit , regjistroi, të martën, 49,823 infeksione të reja COVID-19 brenda 24 orëve dhe varianti më ngjitës, Omicron mbulon 50% të infeksioneve të reja, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Që nga fillimi i pandemisë, numri i përgjithshëm i infeksioneve ka kaluar 5.5 milionë dhe numri i vdekjeve është afër 89,000 në një vend me gati 47 milionë banorë.