Marrja e katër jetëve i kushtoi 110 vjet burg, pse kaq shumë zhurmë për dënimin me burg të këtij shoferi?
Dënimi me 110 vjet burg i një 26-vjeçari në Kolorado të SHBA, i cili u shpall fajtor për aksidentimin me vdekje të katër personave më 2019 ka shkaktuar një valë reagimesh.
Rogel Aguilera-Mederos u fut me kamionin e tij në trafik në një rrugë malore në Kolorado në prill të vitit 2019, duke vrarë katër persona.
Gjyqtari tha se ishte i detyruar ta shqiptonte dënimin kapital ndaj tij.
“Nëse do të kisha diskrecionin, nuk do të ishte dënimi im”, tha gjyqtari.
Dënimi shkaktoi bujë. Rreth 4.5 milionë njerëz kanë nënshkruar një peticion në Change.org duke kërkuar mëshirë. Edhe Kim Kardashian i është bashkuar nismës në rrjetet sociale. Ajo postoi në Twitter duke i bërë thirrje guvernatorit të Kolorados “të bëjë gjënë e duhur”.
Një jurist anonim në këtë çështje i tha stacionit lokal të Fox: “Unë qava, pas dënimit.”
Guvernatori Jared Polis thotë se zyra e tij po shqyrton çështjen dhe prokurori i qarkut i ka kërkuar gjykatës të rishqyrtojë dënimin.
Drejtuesit e kamionëve njoftuan në mediat sociale se do të bojkotojnë Koloradon pas vendimit.
Aguilera-Mederos po transportonte lëndë drusore në ultësirën e Maleve Shkëmbore kur ndodhi përplasja vdekjeprurëse.
Kamioni u fut në tatëpjetë në trafik të palëvizshëm, si pasojë e përplasjes me automjetet të tjera shpërtheu në flakë. Katër persona, Stanley Politano, 69 vjeç, William Bailey, 67, Doyle Harrison, 61 vjeç dhe Miguel Angel Lamas Arellano, 24 vjeç humbën jetën.
Aguilera-Mederos u tha zyrtarëve se frenat e tij kishin dështuar dhe se ai kishte bërë të pamundurën për të shmangur automjetet e tjera pasi humbi kontrollin e kamionit të tij.
Ai qau në gjykatë dhe iu lut familjeve të viktimave për falje.
“Unë nuk jam kriminel, nuk kam menduar kurrë të lëndoj dikë gjatë gjithë jetës sime”.
Por prokurorët argumentuan se 26-vjeçari e dinte se frenat e tij po dështonin. Ata thanë se ai kaloi në mënyrë të rrezikshme midis automjeteve.
Ishte dënimi që ngjalli polemika dhe kërkon rrëzimin e tij. Gjykatësi Bruce Jones i tha gjykatës se sipas ligjit të Kolorados, ai duhej të vendoste dënimin minimal të detyrueshëm dhe se ato duhet të kryheshin në mënyrë të njëpasnjëshme.
Aguilera-Mederos, një emigrant kuban, nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe zyrtarët thanë se në momentin që ka ndodhur aksidenti ai nuk është konstatuar të ketë konsumuar lëndë narkotike apo alkool.
Avokatët e tij kanë thënë se ai do ta apelojë vendimin.

