Shpiku Botox-in/ Ndërron jetë pioneri i "esencës magjike"
Krijuesi amerikan i botox, Alan Scott, ka ndërruar jetë më 16 dhjetor në një spital në Kaliforni, në moshën 89-vjeçare, ka shkruar sot, gazeta, Washington Post.
Scott ishte pionier i shfrytëzimit të botox-it në fushën e kozmetikës dhe kjo ndodhi rastësisht, shkruan gazeta.

Qëllimi i tij ishte përdorimi i toksinës botulinum (një nga helmet organike më të fuqishme të njohura) për të trajtuar një sëmundje të syrit pa ndërhyrje kirurgjikale.
Alan ishte gjithashtu mjek okulist.
Toksina fillimisht ishte menduar për përdorim ushtarak, por kur u konsiderua e papërshtatshme për t'u përdorur si armë kimike, u përdor nga shkencëtarë jo-ushtarakë dhe profesionistë mjekësorë, duke përfshirë Scott, i cili punoi në institut në vitet 1960.
Scott dëshironte të përdorte vetitë paralitike të toksinës për të trajtuar strabizmin (sëmundje në sy).
Në vitin 1991, kompania e barnave Allergan bleu një ilaç të quajtur Botox. Deri atëherë, mjekët që e përdornin kishin vënë re kënaqësinë e pacientëve të tyre, pasi botox-i, përveç korrigjimit të strabizmit, kishte filluar të zbusë edhe disa nga rrudhat rreth syve.
Në vitin 2002, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi produktin si një produkt kozmetik për heqjen e rrudhave jo vetëm në fytyrë, por edhe në trup.
Që atëherë botox është tregtuar në mbarë botën dhe vlerësohet se të paktën 11 milionë njerëz e përdorin atë.
Vetë Scott, sipas Washington Post, nuk pushoi kurrë së admiruari këtë funksion të ilaçit që krijoi, deri në ditët e fundit të jetës së tij. "Jeta është një mister dhe është e mahnitshme se çfarë ndodh me të," ka thënë ai.

