Beshku: Njohja e Kosovës nga Serbia në proces, nisma “Ballkan i Hapur” nuk e pengon

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan ditën e djeshme (22 dhjetor) 5 marrëveshje që lidhen me lëvizjen e lirë të punëtorëve mes tyre, lehtësira kufitare për identifikimin e udhëtarëve, sigurinë ushqimore të mallrave që shkëmbejnë mes tyre.

Pedagogia Klodiana Beshku, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, është shorehur se nisma ‘Ballkan i Hapur’ është një nismë ndryshe nga nismat e marra deri më tani, pasi sipas saj është një një nismë e vet vendeve të Ballkanit Perëndimor për Ballkanin Perëndimor

 Ajo tha se takimi i ditës së djeshme mes tre liderëve ishte teknik ndërsa tja se protesta që u thirr nga ish-Kryeministri Sali Berisha pritej.

Klodiana Beshku: Është një nismë që bën një veçori në krahasim me nismat e marra deri tani. Është një nismë e vet vendeve të Ballkanit Perëndimor për Ballkanin Perëndimor.  Kërkohet kurajo për çfarëdo lloj bashkëpunimi në rajon. Nisma të tilla janë të rralla. Politikanët që i ndërmarrin ato marrin përsipër kosto të mëdha në drejtim të opinionit publik. Protesta kundër ‘Ballkanit të Hapur’ pritej, por ai që e thirri kishte pak mungesë legjitimiteti në këtë drejtim. Takimi ishte shumë teknik, ishte i bazuar në grupe ekspertësh, dhe disa herë gjatë takimit u përsërit ftesa për vendet e tjera që nuk ia janë bashkuar kësaj nisme.  “Ballkani i Hapur" qëndron në një çati të madhe që është si procesi i Berlinit dhe Cefta. Nuk është e vërtetë që kjo nismë del jashtë këtyre dy linjave.

E pyetur për Kosovën e cila nuk është pjesë e kësaj nisme, Beshku u shpreh se njohja e Kosovës nga Serbia është një proces në vazhdim dhe nisma e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk e pengon atë.

Klodiana Beshku: BE është iniciator gjithashtu edhe i bashkëbisedimeve Kosovë-Serbi. Sa herë që këto bashkë-bisedime ngecin krijohet një amulli dhe në çështjen e integrimit.

Më mirë të bashkëpunohet, të flitet, sepse në këtë mënyrë edhe çështja e Kosovës diskutohet, ju përplaset në fytyrë herë pas here edhe përfaqësuesve serbë, ju kujtohet e kaluara dhe në këtë mënyrë kritikohet ajo sesa të arrijmë në bojkotime të nismave të tilla. Në këtë kuadër, them se njohja e Kosovës nga Serbia është një proces në vazhdim dhe nisma e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk e pengon atë.