Skandali me nxjerrjen e pagave, Mërtiri: Të dhënat personale kanë dalë nga shteti, qëllimi për arsye elektorale
Pas skandalit të patronazhistëve një tjetër database me të dhënat personale ka rrjedhur nga institucionet shtetërore. Bëhet fjalë pagat mujore të qytetarëve privatë në administratën publike por edhe private për
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, analisti Ergys Mërtiri është shprehur se të dhënat kanë dalë nga shteti, për t’i përdorur për interesin e vet.
Ai thotë se Shteti në mënyrë kriminale i përdor të dhënat personale për interesa elektorale, ndërsa shton se këto të dhëna mund të bëhen objekt i grupeve kriminale dhe terroriste.
Ergys Mërtiri: Ky është një lajm shumë i keq, tregon se siguria e të dhënave është thuajse zero. Mungesa e sigurisë nuk buron nga paaftësia e shtetit për të mbrojtur të dhënat personale, por është vet shteti i cili e kërcënon sigurinë e tyre. Këto të dhëna kanë dalë nga shteti. Shteti i ka nxjerrë të dhënat për t’I përdorur për interesin e vet. Shteti në mënyrë kriminale i përdor të dhënat personale për interesa elektorale.
Duke dalë të dhënat në publik mund të bëhen objekt i grupeve kriminale, terroriste që mund t’I përdorin këto të dhëna për interesat e tyre. Unë nuk e di nga kanë dalë, por normalisht i bie që të kenë dalë nga financat nga tatimet, por edhe nga instituti i sigurimeve. Por çështja është se kanë dalë nga institucionet zyrtare. Të dhënat kanë dalë me porosi. Kanë dalë nga njerëz që janë aty për t’i ruajtur këto të dhëna. Unë nuk besoj se qëllimi është për të dëmtuar ndonjë qytetar në pamje të parë.
Ndër të tjera ai thotë se qëllimi i publikimit të të dhënave është për arsye elektorale, ndërsa shton se përgjegjësia duhet të jetë penale.
Ergys Mërtiri: Qëllimi është i dukshëm është për arsye elektorale, politike. Nuk ka asnjë arsye tjetër që të shkelen ligjet në mënyrë aq flagrante sepse ata që e shkelin ligjin rrezikojnë burgun. Duhet të kenë shpatullat shumë të ngrohta. Duhet të kenë një urdhër nga dikush që është superior mbi ligjin që dikush ta bëj këtë gjë. Ai i nxjerr se i duhet për një eveniment, për të krehur zonën, për të krehur shoqërinë ,për të marrë një më një të gjithë njerëzit në këtë vend. I vetmi shpjegim që unë shoh është se kjo është në vazhdimësi të asaj që ndodhi me patronazhistët. Këtu nuk është vetëm çështje përgjegjësie politike apo administrative, përgjegjësia duhet të jetë e gjitha penale. Është një e rëndë penale. Kjo vepër kërcënon sigurinë kombëtare të këtij vendi. Mund të bien në duart e njerëzve që mund të bëjnë hatanë. Këto informacione mund të shiten, mund t’ju ofrohen kriminelëve.
