Degët që rrezikojnë të mbyllen, Rama hap shkollë peshkimi, Universiteti Bujqësor: S’kemi studentë

Disa programe studimi në Universitetin Bujqësor dhe atë të Elbasanit rrezikojnë të mbyllen për shak të numrit të ulët të studentëve. Peshkimi është një nga ato degë që nuk u hap këtë vit akademik në Universitetin Bujqësor, edhe pse kryeministri Edi Rama së fundi premtoi hapjen e një shkolle të tillë. Për rektorët, shkak për këtë situatë është bërë mesatarja e lartë për pranimet në këto profile studimi.

Braktisja e disa programeve studimore në universitetet publike si pasojë e interesit të ulët nga studentët u paraqit si shqetësim kryesor në takimin e rektorëve me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.

Ndërkohë që vetëm pak kohë më parë, kryemisnitri Edi Rama deklaroi se do të hapë një shkollë profesionale për peshkimin, Rektori i Universitetit Bujqësor tha se ky program është mbyllur për shkak të mungesës së interesit.

"Nuk kam aktivizuar dy programe si pasojë e rënies së numrit. Me keqardhje them se kam mbyllur dy nga degët më të preferuara si peshkimi, një sektor që kontribuon 30% te sektori i bujqësisë."

Ndërsa Rektori i Universitetit të Elbasanit, Skënder Topi, ngriti shqetësimin e numrit të ulët të studentëve në degët e Mësuesisë.

“Na janë mbyllur degë që kanë mbi 60 vjet që janë në sistem, duke nisur nga Histori-Gjeografi, Matematikë-Fizikë, Biologji Kimi. Kjo vlen ne të gjitha Universitetet Vlora, Shkodra, Durrës, Elbasani".

Për këtë situatë, përfaqësuesit e universiteteve fajësojnë mesataren.

"Mesatarja 7.5 nuk është indikacion absolut".

"Bachelori në zooteknikë me ato njohuri që merr, nuk dua ta bastardoj fare por është bari me shkollë të lartë. Bachelori në agronomi është fermer me shkollë të lartë. Përderisa ne kemi të drejtë ti çojmë në Master, mesatarja duhet të rishikohet".

Diskutimi gjithashtu u shtri edhe në rëndësinë e kërkimeve shkencore, të cilat ndihmojnë formimin profesional dhe akademik të studentëve.