Shpërblimi i pamjaftueshëm, darka s’mund të jetë e plotë as natën e ndërrimit të viteve
Shpërblimi i dhënë nga qeveria shqiptare për festat e fundvitit për pensionistët apo kategoritë e tjera sociale me të ardhura të pakta në kushtet kur dhe çmimet e shportës kanë pësuar rritje ka bërë që vështirësia e sigurimit të asaj çka është traditë e familjeve shqiptare, gjeli i detit të jetë me pikëpyetje në darkën e ndërrimit të viteve.
5000 lekë të rinj do të jetë shpërblimi për festat e fundvitit për pensionistët, ndërsa personat që trajtohen me ndihmë ekonomike apo dhe asistencë sociale do të marrin një shpërblim prej 3000 lekësh.
Por a janë të mjaftueshme këto para për këto kategori sociale për të siguruar gjelin e detit apo dhe për shtrimin e një darke të bollshme natën e ndërrimit të viteve?
Pensionistët thonë që me shumë vështirësi do përpiqen që "mbreti i tryezës", ashtu siç konsiderohet gjeli i detit për familjet shqiptare të mos mungojë, por gjithsesi të ardhurat janë të pamjaftueshme që tavolina të jetë plot.
"E morën por se çfarë do të bëjmë. Na duhen pak më shumë."
"Gjelin e detit të shohim, të marrim ndonjë të vogël".
Dhurata më e madhe që mund të na bëj qeveria është pensione më të larta, pasi pensioni që kanë nuk iu del as për t’u ushqyer dhe ilaçe.
"Çfarë të marrim më parë ilaçe, për të ngrënë apo për të pirë?"
Në kushtet kur dhe po përballemi me rritje të çmimeve, pensionistët dhe kategori të tjera sociale me të ardhura të pakta janë më të prekurit dhe më të shqetësuarit, përsa i përket mospërballimit të kostos së shtrenjtë të jetesës.

