Ndryshimet në Kodin Rrugor/ Test droge për shoferët, riprovim për patentën e re
Ndryshimet në kodin rrugor të cilat hyjnë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare parashikojnë testimin e drejtuesve të mjeteve për lëndë narkotike dhe heqjen e patentës përsa kohë qytetari është nën varësinë e drogës. nenet e reja parashikojnë edhe ritestim nga e para në teori dhe praktikë për ata qytetarë që humbasin patentën si pasojë e shkeljeve të shumta dhe heqja e pikëve.
Ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor të cilat tashmë do të hyjnë në fuqi parashikojnë heqjen ose pezullimin e patentës për përdoruesit e drogës.
Në nenin 11 të ndryshimeve të reja, theksohet se pezullimi i lejes së drejtimit vijon për aq kohë sa, sipas vlerësimit mjekësor mbajtësi i saj vijon të ketë varësi ndaj substancave narkotike apo psikotrope.
Konkretisht, ndryshimet e bëra në nenin 346 të kodit rrugor, përcaktojnë mënyrën e kontrollit ndaj drejtuesve të mjetit për përdorimin e alkoolit, përmes frymënxjerrjes dhe gjakut. Ndërkohë për lëndët narkotike testimi kryhet nëpërmjet sekrecioneve të marra nga tampon drogë-testues i cili mat llojet e ndryshme të lëndëve narkotike.
Në kod theksohet se pajisja, përveç tregimit të rezultatit të matjes, duhet që, nëpërmjet një stampuesi të përshtatshëm, t’i japë këto prova të dokumentuara/printuara.
Pas kryerjes së testit nga institucionet shtetërore me iniciativën e policisë, kjo e fundit njofton drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Ndryshimet në kod, parashikojnë edhe ritestim për ata qytetarë të cilëve u janë hequr pikët e patentës si pasojë e shkeljeve të përsëritura.
Konkretisht në nenet e ndryshuara thuhet se mbajtësi i lejes së drejtimit, që ka humbur totalin e pikëve, duhet të ndjekë një kurs pranë autoshkollave të licencuara.
Në përfundim të këtij kursi, drejtuesi i mjetit duhet t’i nënshtrohet provimit teorik dhe praktik për të rimarrë lejen e drejtimit.
Ndryshimet në kodin rrugor parashikojnë rregulla të reja edhe për mjetet me targa të huaja.
Lista/ Skandali me pagat, rroga më e lartë në Shqipëri 58 milionë
22 Dhjetor, 14:39
Kjo kategori lejohet të përdoret për qarkullim në territorin shqiptar vetëm nga pronari që ka vendbanimin ose vendqëndrimin jashtë territorit shqiptar ose personi që ka të drejtën e përdorimit të mjetit sipas një akti juridik të lëshuar nga pronari.
Një tjetër ndryshim lidhet me vendosjen në kod të rregullave të qarkullimit lidhur me drejtuesit e mjeteve me pedale dhe të patinave elektrike të cilat kanë gjetur përdorim të gjerë vitet e fundit. Këto mjete lejohet të përdoren sipas rregullave të qarkullimit por ndryshimet në kod parashikojnë përdorimin e kaskës mbrojtëse nga drejtuesi i tyre, dhe ndalimin e qarkullimit me këtë kategori mjetesh gjatë natës.

