Basha: Përpjekjet e qeverisë për të penguar transparencën nuk ndalin misionin tim

Partia Demokratike deklaron se rreth 40 kompani janë krijuar në mënyrë fiktive për të pastruar paratë e mafias dhe krimit përmes incineratorëve.

Kryetarja e Komisionit Hetimor Parlamentar për aferat e incineratorëve, akuzon Partinë Socialiste se ky është qëllimi që fshihet pas tentativës për bllokimin e Hetimit. Ndërkohë Lulzim Basha tha se  përpjekjet e qeverisë për të penguar transparencën dhe hetimin parlamentar, nuk do ta ndalin misionin e tij.

"Bllokimi i Komisionit Hetimor për mafien e inceneratorëve nga Partia Socialiste, është jo vetëm i jashtëligjshëm dhe antikushtetues, por demaskon kokat e vërteta që kërkojnë t’i fshihen drejtësisë, për dëmin prej 430 milionë euro që u kanë shkaktuar familjeve shqiptare.

Lufta kundër korrupsionit është jetike për Shqipërinë dhe përpjekjet e qeverisë më të korruptuar në rajon, për të penguar transparencën dhe hetimin parlamentar, nuk do ta ndalin misionin tim dhe të Partisë Demokratike në përballjen me armikun e mirëqenies së shqiptarëve" shkruan Basha në një postim në facebook.