Situata nga Covid tek infektivi, mjekja: Asnjë i riinfektuar nuk shtrohet në spital
Të pavaksinuarit dhe ata që nuk kanë kaluar infeksionin përbëjnë numrin më të lartë i qytetarëve që kërkojnë ndihmë në spital pas prekjes nga covid. Mjekët thonë se aktualisht në trajtim janë rreth 120 të shtruar nga të gjitha grupmoshat. Shqetësues mbetet fakti se qytetarët shkojnë në spital pasi gjendja e tyre është rënduar.
Spitali infektiv në Tiranë po regjistron një numër shtrimesh që varion nga 12-15 pacientë me Covid në ditë, ndërkohë që gjendja e tyre paraqitet e rëndë.
Mjekja Esmeralda Meta thotë se ata që kanë kaluar infeksionin janë më imunë, pasi deri tani nuk ka pasur asnjë qytetar që ka kërkuar trajtim spitalor.
"Nëse do flasim për javën e fundit shkon diku te 12-15 numri i shtrimeve në ditë. Vazhdon të prevalojë numri i pacientëve të pavaksinuar, të shtruar në spital," tha ajo.
Për mjekët shqetësues mbetet fakti se pacientët paraqiten për ndihmë kur janë në gjendje të rëndë, ndërsa grupmoshat që shtrohen në spital janë kryesisht mbi 32 vjeç.
"Nuk është trend shumë i madh rënie, vazhdon të prevalojë një numër mesatar shtrimesh në ditë, por format e prezantuara janë më të rëndat," tha mjekja.
Të martën ministria e Shëndetësisë raportoi se një 31 vjeçar nga Fieri humbi jetën nga Covid ndaj përdorimi i maskës është një nga mbrojtjet më të mira sipas mjekëve.
"Natyrisht që duhet të mbajmë maskë, vaksina nënkupton një rritje të forcave imune kundrejt një infektimi të mundshëm për ta kaluar në forma më të lehta, por jo që je i painfektueshëm," tha ajo.
Aktualisht në spitalin infektiv janë të shtruar rreth 120 pacientë, nga të cilët rreth 10 janë në gjendje të rënduar.
Në janar 2022 pritet që të nisë puna për restaurimin e spitalit infektiv, pacientët e të cilit do të vendosen në pavione të tjera.

