Platforma "Po për Shqipërinë": Shehi: Nisim më 10 janar, afrojmë qytetarin me politikën

Me argumentin se qytetarët kanë nevojë për të qenë më pranë politikës, kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi ka prezantuar platformën “Po për Shqipërinë”. Ai tha se kjo nismë do t’i shërbejë edhe opozitës, por shtoi se mbi të gjitha synimi i saj është llogaridhënia e politikës në raport me qytetarët.

Kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi prezantoi platformën e emërtuar “Po për Shqipërinë”, si një përpjekje për të afruar qytetarët me politikën. Shehi tha se ky projekt do të nisë me hartimin e një plani për rikthimin e referendumeve, si elementi bazë për demokracinë.

"E kemi zgjedhur ta fillojmë këtë lloj platforme në datën 10 janar, në radhë të parë me ligjin për referendumet. Pse? Si ligji që më direkt e takon politikën shqiptare sepse i ka munguar prej shumë vitesh qytetarit shqiptar e drejta për të votuar, për një zgjedhje të madhe prej shumë vitesh. E kemi emëruar "Po" se duam të prodhojmë një ide pozitive për politikën," tha Shehu.  

Në komunikim për mediet, Shehi shprehu rezerva ndaj politikës, e cila sipas tij qëllimisht ka krijuar instrumente për të shmangur llogaridhënien ndaj qytetarëve.

"Ka ardhur dita të reflektojmë realisht për mundësitë e reja, për një raport të ri në politikë me qytetarët e Shqipërisë," tha Shehi.

Këtë nismë Shehi e konsideroi si një armë të re të opozitës, në kushtet e një rrethi në të cilin sipas tij ndodhet aktualisht.