Qeveria reagon për skandalin me databazën e rrogave të 630 mijë shqiptarëve: Dokument ilegal, ndërhyrje kriminale

Për 6 orë më radhë kryeministri Edi Rama ka kërkuar llogari nga ministrat e tij për 100 ditët e para të punës për mandatin e tretë.

Në një kohë kur mazhoranca po përballet me akuzat për përfshirje në afera korruptive për incineratorët, shefi i Këshillit të Ministrave ka kaluar në sitë punën e drejtuesve të dikastereve përkatës.

Në fokus të këtij takimi rreth 6 orësh ka qenë edhe publikimi i të dhënave personale dhe listëpagesa.

Në reagimin e zëdhënësit të Këshillit të Ministrave, qeveria distancohet nga ky skandal i publikimit të pagave të 637 mijë shqiptarëve.

Madje sipas Endri Fugës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatitet për një denoncim zyrtar në prokurori për të zbardhur këtë ndërhyrje kriminale në databazën e të dhënave të qytetarëve.

Reagimi i plote

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë.

 Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar - prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim.

 Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën "Emri i Plotë" siç lexohet në këtë dokument ilegal.


Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme.

Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë."

Publikimi i databazës me pagat mujore të qytetarëve shqiptarë që punojnë në shtet apo në privat ka shkaktuar një tjetër skandal me të dhënat personale. Kësaj radhe, e cënuar është edhe siguria kombëtare pasi databaza përmban të dhëna për numrat personalë të punonjësve të SHISH, dhe fondet e këtij institucioni. Prokuroria e cila mbylli dosjen e patrinazhistëve të parë ka deklaruar se ka nisur hetimet për zbulimin e burimit nga ka dalë databaza me të dhënat shtetërore.  

Poll