Baçi: Lëvizja në PD pas vendimit të 9 shtatorit dhe mllefit të krijuar pas humbjes së 25 prillit

Në “Ora e Betit” nga Beti Njuma në RTV Ora, kreu i PD-së Fier Luan Baçi u shpreh se ka një përplasje të fuqishme në PD, pasi duhet një analizë e thellë pas humbjes së 25 prillit.

Ai tha se kjo bëri që të shpërthente një lëvizje të fuqishme duke u shtuar edhe nga vendimi i 9 shtator nga Basha ndaj Berishës.

Baçi: Ka një përplasje të fuqishme në PD dhe unë e shoh gjithmonë nga këndvështrimi pozitiv, pasi duhet një analizë e thellë pas humbjes së 25 prillit. Në fakt nuk u bë për shumë arsye. Ky ishte edhe shkaku që PD është futur në një lëvizje shumë të fuqishme duke u bërë si shkak edhe vendimi i 9 shtator.

Me këtë kishte të bënte edhe mllefi i madh që ishte akumuluar edhe nga humbja në PD. Nuk është i njëjti realitet në bazë si në qendër. E vërteta duket në bazë, jo në studiot televizive apo në PD me konferenca shtypi. Zbritja e Berishës në bazë nxori në pah shumë problematika.