“Open Balkan”, Malaj pesimist: S’janë në tavolinë vendet që e kanë pësuar nga gjenocidi serb, Vuçiç s’po bashkëpunon

Ekonomisti Arben Malaj shprehet se misioni i çdo qeverie është t’u shërbejë shtresave në nevojë dhe të rrisë punësimet.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Malaj u shpreh se qeveria ka gjetur një model të deformuar ekonomik, ndërsa thekson se duhet gjetur një model ekonomik mes menaxhimit të shpenzimeve dhe marrjes së borxheve.

Arben Malaj: Misioni i çdo qeverie është t’u shërbejë shtresave në nevojë, duke krijuar një rritje ekonomike më të madhe, punësim më të madh dhe duke reduktuar numrin e atyre që kanë nevojë në mënyrë që ata të trajtohen në mënyrë dinjitoze. Kjo nuk po ndodh. Është gjetur një model ekonomik i deformuar. Po rrisim borxhet. Po bëjmë projekte që nuk e dimë se kur mbarojnë. Ne nuk mund t'i braktisim njerëzit. Dy janë burimet: Të rriten të ardhurat, të shkurtojmë shpenzimet. Duhet të gjendet një ekuilibër mes menaxhimit të shpenzimeve dhe marrjes së borxheve. Borxhet janë të pranueshme kur përdoren me përgjegjësi maksimale dhe efiçent maksimal.

Malaj ka komentuar dhe 5 marrëveshjet që u nënshkruan ditën e sotme mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në kuadër të nismës “Ballkan i Hapur”.

Ai shprehet pesimist  për “Open Balkan”, pasi sipas tij nëse nuk bashkohen dhe tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kjo nismë nuk do të jetë një iniciativë që mbështet paqen dhe mirëqenien në rajon.

Arben Malaj: Çdo iniciativë,për të  integruar më mirë mundësitë tona të infrastrukturës fizike në zhvillimet rajonale,  me infrastrukturën në nivele rajonale dhe evropian, sjell përfitime për një rritje më të qëndrueshme. Ballkan i Hapur nuk duhet të mbetet i mbyllur, dhe që të mos mbetet i mbyllur ka dy pika të dobëta, e para nuk janë në tavolinë vendet që e kanë pësuar nga gjenocidi serb. E dyta është se lidershipi aktual serb nuk po tregon një ndjenjë të vërtetë bashkëpunimi. Pamë provokime të vogla në Veri të Kosovës dhe dolën duke thënë se janë të gatshëm të ndërhyjnë dhe ushtarakisht në Veriun e Kosovës.

Nuk jam optimist që Ballkani Perëndimor nëse mbetet i kufizuar vetëm në tre shtete të jetë një iniciativë që mbështet paqen e qëndrueshme dhe mirëqenien në rritje të Ballkanit Perëndimor. 

Përgatiti Anila Kolgjini.