AMF shërbime në e-Albania: Qytetarët mund të marrin online historikun e sigurimit të mjeteve dhe dëmeve
Pas aplikacionit për llogaritjen e dëmeve të personave në aksidente, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i ofron qytetarëve mundësinë që disa shërbime në lidhje me sigurimin e automjetit të bëhen nëpërmjet portalit e-Albania.
Rreth 680 mijë drejtues automjetesh që pajisjen çdo vit me sigurimin e mjetit duke filluar nga kjo e martë mund të marrin online në e-Albania informacionin për vlefshmërinë e dokumentit të sigurimit, historikun e sigurimit të mjeteve dhe të dëmeve të automjeteve.
Nëpërmjet shërbimit elektronik ‘Verifikimi i policisë së sigurimit motorik’ çdo person i cili ka në pronësi një mjet mund të kërkojë nëpërmjet kësaj platforme dokumentin me vulë elektronike, që vërteton se pronari i këtij mjeti ka lidhur kontratën e sigurimit të detyrueshëm motorik.
Dokumenti i gjeneruar nga e-Albania përmban të dhënat e mjetit, të dhënat e pronarit dhe përdoruesit e tij, vlefshmërinë dhe llojin e sigurimit të mjetit.
Gjithashtu përmes këtij shërbimi qytetarët brenda vendit dhe ata që jetojnë jashtë mund të vërtetojnë mbulimin me sigurimin e detyrueshëm motorik për një periudhë kohore 7-vjeçare për të gjitha mjetet që kanë në pronësi.
Po ashtu, nga ky shërbim ofrohet dhe historiku i dëmeve të mjetit, ku çdo person i cili ka në pronësi një mjet dhe është bërë shkaktar i një aksidenti rrugor, mund të kërkojë nga kjo platformë për një periudhë 7-vjeçare pas datës së aksidentit, të dhënat që lidhen me aksidentin ku është përfshirë mjeti i tij.
Kjo platformë ofron dhe shërbimin e njoftimit të përfundimit të sigurimit të mjetit. Në seksionin mesazhet e mia në e-Albania çdo pronar i mjetit motorik do të njoftohet për përfundimin e sigurimit 15 ditë përpara afatit të përcaktuar si datë mbarimi.
Sipas AMF, nëpërmjet këtij shërbimi qytetarët kanë kohën e nevojshme për të rinovuar brenda afatit policën e sigurimit të detyrueshëm motorik.
